Importet e Shqipërisë u ulën me 2.7 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, teksa shifrat e tregtisë me jashtë konfirmojnë ngadalësim të konsumit dhe investimeve në ekonomi.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se gjatë muajit të kaluar, importet ishin 67 miliardë lekë nga 69 miliardë që ishin në gusht të vitit të kaluar. Gushti është piku i sezonit turistik të vendit. Rënia e importeve në muajin më të rëndësishëm të turizmit, konfirmon se Shqipëria u përball me një sezon zhgënjyes turistik këtë vit, i cili nuk e ka ndihmuar ekonominë të zgjerohet.
Megjithatë gushti nuk është një rast i izoluar. Të dhënat zyrtare tregojnë se përgjatë gjithë këtij viti importet kanë patur tendencë të qartë ulje. Sipas të dhënave, në total për 8 mujorin importet kanë rënë me me 2,1 %, krahasuar me tetëmujorin e parë 2024.
Grupet e mallrave që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të importeve, janë: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -1,7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale me -1,2 pikë përqindje,etj.
Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +0,6 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +0,5 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me +0,2 pikë përqindje.
Ndërkohë në krahun tjetër të tregtisë, shifrat tregojnë të njëjtën situatë të vakët. Eksportet e kompanive shqiptarë drejt tregjeve të huaja vazhdojnë të tkurren në terma reale, por për shkak të një marifeti statistikor, Instat i nxjerr me rritje minimale.
Të dhënat e tregtisë më jashtë për këtë vit tregojnë se pulsi i ekonomisë ka filluar të dobësohet dhe se me shumë gjasa Shqipëria do të përballet me një vit me rritje të ulët ekonomike./ kapital