Ballina Ekonomia Bizneset shqiptare, rritet përdorimi i internetit, shitjeve online dhe rrjeteve sociale në...

Bizneset shqiptare, rritet përdorimi i internetit, shitjeve online dhe rrjeteve sociale në 2024

21
0

Përdorimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në ndërmarrjet shqiptare ka shënuar rritje gjatë vitit 2025.

Përdorimi i internetit dhe teknologjisë

Gati të gjitha ndërmarrjet me 10 ose më shumë të punësuar përdorën kompjuter me akses në internet për qëllime pune, duke arritur në 99,4 %, nga 99,3 % që ishte në vitin 2024. Ndërmarrjet e mëdha, me mbi 250 të punësuar, raportuan përdorim 100 % të internetit.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është prania e specialistëve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, e cila u rrit në 31,8 % të ndërmarrjeve, nga 29,7 % vitin e kaluar.


Lidhjet dhe shpejtësia e internetit

Gjatë vitit 2025, 100 % e ndërmarrjeve kishin lidhje fikse në internet, kundrejt 99,3 % në 2024. Përqindja e atyre që përdornin shpejtësi mbi 30 Mbit/s arriti 91,8 %, ndërsa shpejtësitë mbi 100 Mbit/s u rritën ndjeshëm, nga 40,9 % në 50,4 %.

Shitjet online dhe prezenca digjitale

Përdorimi i faqeve të internetit është rritur, me 61,0 % të ndërmarrjeve që raportuan se e përdorin këtë shërbim (nga 57,7 % në 2024).

Tregtia elektronike gjithashtu ka shënuar përparim: 28,0 % e ndërmarrjeve kanë shitur produkte apo shërbime online, krahasuar me 24,5 % një vit më parë. Ndër sektorët që kryesojnë janë akomodimi dhe shërbimi ushqimor (48,2 %), aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike (44,8 %) si dhe informacioni dhe komunikimi (43,3 %).

Xhiro e realizuar nga shitjet online përbën 10,1 % të totalit, duke shënuar një rritje prej 0,6 % krahasuar me vitin 2024. Peshën më të madhe e mban sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë (46,1 %), ndjekur nga informacioni dhe komunikimi (16,5 %).

Media sociale dhe shërbimet cloud

Media sociale u përdor nga 86,5 % e ndërmarrjeve, një rritje nga 83,1 % në vitin 2024.

Një rritje e dukshme vërehet edhe në përdorimin e shërbimeve cloud, të cilat u shfrytëzuan nga 33,8 % e ndërmarrjeve me akses në internet, duke u rritur me 3,8 % krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë qartë se ndërmarrjet shqiptare po ecin drejt një transformimi digjital, duke rritur jo vetëm aksesin dhe shpejtësinë e internetit, por edhe përfshirjen në tregtinë elektronike, përdorimin e mediave sociale dhe të shërbimeve cloud. /ekofin.al