Ballina Kulturë Galeria e Artit dhe Muzeu Historik duhet të jenë në qendër të...

Galeria e Artit dhe Muzeu Historik duhet të jenë në qendër të Shkodrës

24
0

Nga Besi Bekteshi

Në botën e qytetëruar, Galeritë e Artit dhe Muzetë Historike janë gjithmonë në qendër të qytetit. Qendra është vendi ku pulson jeta publike dhe kulturore, ku qytetari dhe vizitori takohen me artin dhe trashëgiminë. Kjo është arsyeja pse edhe Shkodra duhet të ndjekë këtë model.

Është thelbësore dhe qytetare që Shkodra të ketë Galerinë e Artit dhe Muzeun Historik në qendër të saj. Kjo nuk është vetëm një kërkesë kulturore, por një domosdoshmëri urbane dhe qytetare që e lidh trashëgiminë e pasur të këtij qyteti me vizionin modern të zhvillimit dhe turizmit. Ky vizion është në dijeninë time dhe në drejtimin e Bashkisë dhe sidomos drejtuesit të saj Beci.

Sot ka propozime dhe ide konkrete që Galeria e Artit të risillet aty ku ishte dikur – pikërisht në vendin ku sot është Prefektura apo Qarku. Ky do të ishte rikthimi i saj në identitetin historik. Po ashtu, ekzistojnë ide që vetë Bashkia e Shkodrës të kthehet në një Muze në atë ndërtesë fantastike të projektuar nga inxhinieri Brioti, duke e shndërruar kështu një simbol qytetar në një qendër historike për gjithë vizitorët.

Sigurisht, Galeria nuk mund të mbetet më në vendin e pamerituar ku është sot, në të ashtuquajturin “dollari”. Një qendër arti e vendosur në zemër të qytetit, me aktivitetet e shumta të saj dhe me fondin e madh të veprave, do ta bënte Shkodrën – së bashku me turistët që vijnë çdo ditë – një nga vendet më të mrekullueshme të Shqipërisë në aspektin kulturor.

Vizitat në Galerinë e zhvendosur te Prefektura do të shoqëroheshin natyrshëm me biletë, ashtu si edhe vizitat në Muzeun Historik nëse do të vendosej afër Galerisë, në ndërtesën e Bashkisë. Në këtë mënyrë, biletat e Galerisë dhe Muzeut do të ishin krahasueshme me Kështjellën e Shkodrës dhe disa herë më të larta se Muzeu Marubi, i cili në të vërtetë pak muzealitet tregon për vizitorët.

Kundërshtarët që nuk duan Galerinë në qendër të Shkodrës janë individë që nuk e duan Shkodrën e trashëgimisë, por preferojnë ta përqendrojnë gjithçka në zonalitet religjioz dhe përçarje të trashëgimisë. Por besoj se zëra të tillë nuk do të gjejnë mbështetje, sepse qyteti e ka kuptuar se arti dhe historia janë vlera që nuk mund të margjinalizohen.

Nga ana tjetër, Muzeu Historik sot vuan si ndërtesë. Ai padyshim duhet të lëvizë për shkak të vlerave të mëdha arkeologjike dhe etnografike që ka, por edhe si pinakotekë. Këto vlera duhet t’i jepen njerëzve në qendër, në hapësira të denja. Ndërtesa ekzistuese, e restauruar, mund të mbetet një shtëpi karakteristike shkodrane, duke ruajtur autenticitetin e qytetit.
Prandaj, Galeria dhe Muzeu duhet të jenë në vendin e duhur – në qendër të Shkodrës. Aty ku qyteti dhe trashëgimia bëhen një atraksion i madh kulturor, dhe ku Shkodra i rikthehet dinjitetit të saj si kryeqendra e artit, kulturës dhe historisë shqiptare.
Është koha që institucionet vendimmarrëse të marrin përgjegjësinë për këtë vizion qytetar. Prefektura duhet të kthehet në Galeri Arti, Bashkia në Muze Historik, ( por te qarku dhe prefektura ka vend për të dyja) ndërsa ndërtesa ekzistuese e Muzeut të restaurohet si shtëpi karakteristike shkodrane. Ky është modeli i qytetërimit: arti dhe historia në qendër, për qytetarët dhe turistët, siç ndodh kudo në botën e zhvilluar.