Ballina Kulturë Sundimtarja britanike që ndihmoi në nxitjen e pushtimit romak mund të ketë...

Sundimtarja britanike që ndihmoi në nxitjen e pushtimit romak mund të ketë qenë grua

43
0

Shkrimtarët romakë shpesh pretendonin se perandori Klaudius ua linte grave dhe ish-skllevërve që e rrethonin të merrnin vendime në vend të tij. Tani, një arkeolog argumenton se edhe britaniku që e bindi perandorin të pushtonte Britaninë mund të ketë qenë në të vërtetë një grua, një tjetër këshilltare e këtij lloji, të cilat shkrimtarët e kohës i përqeshnin.

Miles Russell, nga Universiteti i Bournemouthit në Angli, argumenton në revistën Current Archaeology se Verika, sundimtarja e fisit të atrebateve në territorin e Anglisë së sotme jugore, përpara se të largohej dhe të kërkonte strehim në Romë, ishte grua. Argumenti i tij mbështetet te emri, titulli dhe monedhat e saj. Nëse kjo teori vërtetohet, një grua mund të ketë luajtur rol qendror në ngjarjet që çuan në pushtimin romak të Britanisë.

“Historia se Klaudiusi vendosi të ndërmerrte diçka vetëm sepse ia kërkoi një grua përputhet me stereotipin e këtij perandori si një njeri i nënshtruar dhe i sunduar nga gratë”, tha Russell në një njoftim për shtyp.

Pse mendon Russell se Verika ishte grua?

E dhëna e parë gjendet te emri i saj, i cili përfundon me shkronjën “a”, njësoj si emrat e sundimtareve britanike Boudika dhe Cartimandua. Ndërsa emrat e burrave të asaj periudhe, si Caratacus, zakonisht përfundonin me “us” ose “os”. Russell thotë se historianët e mëparshëm kishin supozuar se një sundimtar me kaq shumë pushtet duhej të ishte patjetër burrë.

Historiani romak Cassius Dio, i cili shkroi rreth dy shekuj pas pushtimit, e përmend të mërguarin me emrin Berikos, në formën mashkullore. Historianët e kanë konsideruar këtë person të njëjtë me Verikën. Por Russell mendon se Dio kishte vështirësi me emrat e panjohur britanikë dhe se ai vetë, ose ndonjë kopist i mëvonshëm i veprës së tij, mund ta ketë shkruar gabim emrin.

Në monedhat e saj gjendet fjala latine rex, që do të thotë mbret. Disa e kanë interpretuar këtë si provë se Verika ishte burrë. Por Russell argumenton se “rex nuk është një titull që përcakton gjininë; Roma njihte si mbretër burrat, ashtu edhe gratë. Shembulli më i njohur është Kleopatra e Egjiptit”.

Ai shton se shkrimtarët romakë e kishin të vështirë të pranonin faktin që gratë mund të zotëronin prona dhe të sundonin. Megjithatë, analizat e ADN-së nga një varrezë në Dorset sugjerojnë se gratë qëndronin në vendbanimin e tyre, ndërsa burrat martoheshin dhe zhvendoseshin në komunitetin e grave. Kjo mund të tregojë se trashëgimia e tokave kalonte përmes linjës femërore.

Monedhat e Verikës janë gjetur në një territor më të kufizuar sesa ato të sundimtarëve të mëparshëm të atrebateve, çka sugjeron se ajo kontrollonte më pak toka. Russell mendon se Verika shtoi titullin rex, të cilin Roma ua jepte sundimtarëve që gëzonin mbështetjen e saj, për t’u treguar rivalëve se kishte perandorinë në krah.

Një monedhë ari e mëvonshme e rivalit të saj, Caratacus, riprodhon një pjesë të modelit të monedhave të Verikës, por paraqet një kalorës burrë. Russell ngre hipotezën se ky ndryshim mund të ketë qenë një mënyrë për të treguar se një burrë e kishte zëvendësuar atë në pushtet.

Shkronjat në disa prej monedhave zakonisht interpretohen si shprehja “bir i Commios”, një mbret që kishte pasur marrëdhënie miqësore me Jul Cezarin. Por Russell vëren se ato mund të nënkuptojnë po aq mirë edhe “bijë e Commios”.

A e bindi vërtet një grua Romën të pushtonte Britaninë?

Sipas versionit të historianit Cassius Dio, një sundimtar i dëbuar nga Britania u paraqit në oborrin e perandorit dhe e bindi atë të dërgonte një ushtri. Russell nuk pretendon se Verika ishte arsyeja e vetme që Klaudiusi vendosi të ndërmerrte pushtimin. Perandori kishte ardhur në pushtet pasi paraardhësi i tij ishte vrarë dhe kishte nevojë për një fitore ushtarake për të forcuar pozitën e tij.

“Verika i dha pretekstin për të ndryshuar regjimin dhe perandori e shfrytëzoi këtë mundësi”, shpjegoi ai në njoftimin për shtyp.

Russell e sheh të besueshme mundësinë që Verika t’ia ketë shpërblyer këtë mbështetje duke mobilizuar përkrahësit e saj në vendlindje dhe duke e ndihmuar komandantin romak gjatë fushatës. Megjithatë, kjo mbetet një hipotezë e tij, pasi asnjë burim historik nuk e përmend një rol të tillë.

Ai sugjeron gjithashtu se Caratacus, udhëheqësi britanik që zakonisht kujtohet si heroi i luftës kundër romakëve, mund të ketë qenë një nga shkaktarët e pushtimit, pasi kishte marrë tokat e Verikës dhe e kishte detyruar të largohej.

Nuk ka mbijetuar asnjë rrëfim i hollësishëm për periudhën e sundimit të saj dhe burimet historike nuk tregojnë nëse Verika arriti ndonjëherë të rimerrte fronin.

“Nëse ajo nuk do të ishte rrëzuar nga pushteti dhe detyruar të kërkonte ndihmë ushtarake te Klaudiusi, Roma mund të mos e kishte pushtuar kurrë Britaninë”, përfundon Russell.