Këngëtarja e njohur britanike Bonnie Tyler ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga familja dhe ekipi i saj përmes një deklarate zyrtare, ku thuhet se artistja u nda nga jeta papritur në një spital në Portugali, pas një sëmundjeje për të cilën po merrte trajtim.
“Familja dhe ekipi i Bonnie-s janë thellësisht të pikëlluar të njoftojnë se Bonnie ndërroi jetë papritur mbrëmë në një spital në Portugali, si pasojë e sëmundjes për të cilën po trajtohej”, thuhet në deklaratë, ndërsa familja ka kërkuar respektimin e privatësisë gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Problemet shëndetësore të këngëtares nisën disa muaj më parë. Në muajin maj, ajo u transportua me urgjencë në një spital në Faro të Portugalisë, ku iu nënshtrua një operacioni urgjent në zorrë dhe më pas u vendos në koma të induktuar për të ndihmuar procesin e rikuperimit.
Më herët, përfaqësuesit e saj kishin bërë të ditur se këngëtarja ishte zgjuar nga koma, por gjendja e saj mbetej kritike dhe ajo vazhdonte të trajtohej në kujdes intensiv. Mjekët kishin shprehur optimizëm për përmirësimin e saj, duke paralajmëruar se rikuperimi do të ishte i ngadaltë.
Për shkak të gjendjes shëndetësore, disa data të turneut të saj veror u anuluan ose u shtynë, ndërsa ekipi i saj shpresonte që koncertet të mund të zhvilloheshin në një periudhë të mëvonshme.
Pavarësisht shpresave për një përmirësim, Bonnie Tyler u nda nga jeta në spitalin ku po merrte trajtim në Portugali, duke lënë pas një karrierë të gjatë dhe një trashëgimi të rëndësishme në muzikën ndërkombëtare.







