Një sulm i dhunshëm me thikë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në rrugën Pellizza da Volpedo, në zonën Amendola të Milanos.
Sipas informacioneve paraprake, një 32-vjeçar me origjinë egjiptiane është qëlluar disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Ai u gjet dhe u ndihmua nga ekipet mjekësore dhe u transportua me urgjencë në spitalin Niguarda, në gjendje të rëndë. Megjithatë, raportet e para mjekësore kanë përjashtuar rrezikun për jetën, raportojne mediat italiane.
Nga rindërtimi fillestar i ngjarjes, rezulton se i plagosuri ndodhej në shoqërinë e dy bashkatdhetarëve të tij, kur u sulmua papritur nga një grup prej rreth dhjetë personash. Sipas dëshmive, mes agresorëve kishte shtetas nga Afrika e Veriut dhe Shqipëria.
Motivi i sulmit është ende i panjohur, ndërsa autorët janë larguar nga vendngjarja para mbërritjes së policisë dhe ambulancës. Kur forcat e rendit arritën në vend, gjetën vetëm tre egjiptianët, mes tyre 32-vjeçari dhe dy të tjerë që nuk kanë pësuar lëndime.
Dy egjiptianët që nuk u plagosën janë marrë në pyetje nga karabinierët, të cilët po përpiqen të zbulojnë shkakun e mundshëm të sulmit dhe të identifikojnë autorët.
Ndërkohë, kamerat e sigurisë në zonë pritet të luajnë një rol kyç në hetim. Pamjet do të analizohen për të parë nëse kanë kapur momentin e sulmit, largimin e autorëve ose ndonjë detaj tjetër të dobishëm për hetimin.