Ballina Bota Dhjetë gra të vrara në pak muaj në Afrikën e Jugut, pas...

Dhjetë gra të vrara në pak muaj në Afrikën e Jugut, pas ekzekutimeve makabre është një vrasës serial?

35
0

Policia e Afrikës së Jugut ka zbuluar trupin e një tjetër gruaje në zonën e Ekurhulenit, në lindje të Johannesburgut, duke e çuar në 10 numrin e grave të gjetura të vrara në rrethana të ngjashme gjatë muajve të fundit.

Trupi u gjet të shtunën në mëngjes në një varrezë në Tembisa. Viktima ende nuk është identifikuar zyrtarisht nga autoritetet, ndërsa një shoqe e saj tha për transmetuesin publik SABC se e njohu përmes veshjeve që kishte parë një natë më parë, kur të dyja kishin qenë së bashku në një lokal.

“Është e dhimbshme”, u shpreh gruaja, e përlotur, duke treguar se nuk dinte se çfarë do t’u thoshte fëmijëve të shoqes së saj.

Pas zbulimit të trupit, në vendngjarje mbërritën ekspertët e policisë kriminalistike, të cilët nisën mbledhjen e provave për të përcaktuar rrethanat e vdekjes dhe nëse ajo lidhet me rastet e tjera.

Komisioneri i Policisë së Gautengut, Tommy Mthombeni, tha se është ende herët për të konfirmuar një lidhje mes vrasjeve. Megjithatë, ai bëri të ditur se viktimat e rasteve të mëparshme kanë pasur karakteristika të ngjashme, çka mund të tregojë për një mënyrë të përbashkët veprimi.

Sipas tij, policia nuk mund ta përjashtojë në këtë fazë mundësinë që pas vrasjeve të fshihet një autor serial, por as nuk ka ende prova të mjaftueshme për ta konfirmuar këtë pistë.

Shumica e trupave të gjetur më herët janë zbuluar në Kempton Park, pranë Tembisës. Bëhet fjalë kryesisht për gra të reja, ndërsa autoritetet kanë konstatuar shenja të dhunës së rëndë në pothuajse të gjitha rastet.

Vrasjet kanë shkaktuar reagim të fortë në të gjithë Afrikën e Jugut dhe kanë rritur presionin mbi qeverinë për përballimin e dhunës ndaj grave. Vendit i është kushtuar prej kohësh vëmendje për nivelet e larta të dhunës me bazë gjinore.

Sipas Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Afrikës së Jugut, 569 gra u vranë dhe 1,052 të tjera i mbijetuan tentativave për vrasje vetëm gjatë periudhës prill-qershor të këtij viti.

Ndërkohë, tre burra janë paraqitur këtë javë në gjykatë, të dyshuar për përfshirje në një prej nëntë vrasjeve të mëparshme. Policia vijon hetimet dhe po përpiqet të identifikojë persona të tjerë që mund të kenë lidhje me rastet.