Së bashku me familjen, francezi Kerim Korum mbërriti në Shqipëri në datën 8 gusht.
Erdhi si turist dhe vizitoi disa qytete bashkë me të ëmën derisa u arrestua në zonën e ish-bllokut.
Në një kontroll rutinë policia i gjeti me vete 5 gramë hashash. Për policinë Kerim ishte turisti i radhës i gjetur me drogë, kurse për gjykatën ai ishte përdoruesi i radhës që duhej liruar ndaj urdhëroi detyrim paraqitje.
Një masë që siç edhe shtetas të tjerë të huaj, ose i mban në Shqipëri derisa gjykimi mbyllet, ose përfundojnë të larguar pa adresë. Avokati i Kerim premton se mbasi 19 vjeçari të mbyllë pushimet e verës, do kthehet sipas kalendarit një herë në muaj detyrim paraqitje në Shqipëri derisa gjyqi të mbyllet.
Drejtoria e përgjithshme e burgjeve deklaron shifra të larta të të burgosurve që veç krimit që kanë kryer rezultojnë të jenë përdorues.
“Ka nga të gjitha moshat, jo vetëm të mitur dhe të rinj, por edhe mosha nga 60 dhe 70 vjeç që përdorin kokainë”-shprehet avokati Erjon Kullolli.
Zyrtarisht nuk ka një shifër të rifreskuar se sa është numri i përdoruesve në Shqipëri.
Mesatarisht vetëm në Tiranë ndalohen çdo ditë katër deri në gjashtë persona që konstatohen me doza droge, për të cilët më pas gjykata urdhëron masa të lehta. Burgjet konfirmojnë se aktualisht në qeli trajtohen me metadon 118 përdorues droge.