Ballina Ekonomia ​Kufizohen kreditë për banesat, Banka e Shqipërisë: Pritet të ngadalësohet rritja e...

​Kufizohen kreditë për banesat, Banka e Shqipërisë: Pritet të ngadalësohet rritja e çmimeve

37
0

Banka e Shqipërisë publikoi raportin e stabilitetit financiar për periudhën janar–qershor, i cili vlerëson ecurinë e ekonomisë shqiptare.

Raporti evidenton një situatë pozitive si në sektorin financiar, ashtu edhe në tregun e punës.

“Gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 kemi pasur një rritje të mirë ekonomike, rreth nivelit 3,4 për qind, e cila është mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme. Politika fiskale ka qenë konsoliduese. Presionet inflacioniste kanë qenë në përgjithësi të përmbajtura,” thotë Klodion Shehu, drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar.

Ai thekson se Banka po e monitoron nga afër tregun e pasurive të paluajtshme, ku është vërejtur një rritje e shpejtë e çmimeve.

“Kemi rritje të shpejtë të çmimeve. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë në maj të këtij viti mori disa masa që lidhen kryesisht me vendosjen e disa limiteve në raporte të caktuara të standardeve të kredidhënies në treg, si për lekun, ashtu edhe për valutën,” shton drejtori.

Raporti ndalet edhe te rreziqet që vetë bankat kanë konstatuar gjatë kësaj periudhe.

“Edhe bankat kanë evidentuar rrezikun që mund të vijë nga zhvillimet ndërkombëtare, rrezikun e përkeqësimit të ekonomisë së brendshme për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare, dhe njëkohësisht rreziqet kibernetike, që gjithmonë mbeten të pranishme. Për sa i takon rrezikut të kursit të këmbimit dhe rrezikut të normës së interesit, këto rreziqe paraqiten në përgjithësi të kontrolluara,” shprehet z. Shehu, shkruan RTSH.

Treguesit e rezistencës financiare dëshmojnë për një sektor bankar të qëndrueshëm ndaj rreziqeve. Megjithatë, disa banka mbeten më të ndjeshme ndaj skenarëve të rrezikut.

Për këtë arsye, z. Shehu nënvizon se mbetet e domosdoshme që bankat të forcojnë sistemet e parandalimit dhe administrimit të rreziqeve, si edhe të ruajnë nivele të përshtatshme kapitalizimi për veprimtarinë e tyre.