Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënim me 10 vite burg për shtetasin nigerian Sabastian Victor Negbenedor.
Ai u akuzohet për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.
Bazuar në njoftimin zyrtar, nigeriani ishte denoncuar nga një shtetas që administronte një biznes detergjentësh, pasi i kishte përvetësuar shumën prej 25.000 eurosh nga një pagesë.
Njoftimi:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkon deklarimin fajtor dhe dënimin me 10 vite burg të të pandehurit, shtetasit nigerian S.N. për veprën penale ‘Mashtrim kompjuterik’ parashikuar nga nenet 143/b/2 të Kodit Penal.
Ky shtetas u denoncua nga shtetasi E.B. i cili prej 10 vitesh administron biznesin e tij të detergjentëve që i importon nga Italia në Sauk. Prej vitesh ai komunikonte me një adresë emaili me palën italiane, ku bënte porosinë dhe pasi merrte mallin u dërgonte transferten nëpërmjet bankës.
Një ditë, nga emaili i palës Italiane i vjen një kërkesë që pagesën të mos ta bënte më në llogarinë e kompanisë në Itali por në Gjermani me faturën përkatëse. Kallëzuesi duke parë që emaili ishte i njëjtë (më pas u konstatua se ndryshonte vetëm një gërmë) dhe aty ishte dhe fatura e saktë e kompanisë italiane e dërguar në komunikimet elektronike të mëparshme dhe duke ditur që janë kompani shumëkombëshe, kreu pagesën.
Pas disa kohësh ai kontaktohet nga kompania Italiane pasi nuk kishin marrë shumën prej 25000 eurosh nga ku kuptoi se pagesën e kishte bërë në një adresë tjetër.
Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u zbulua se përfituesi ishte shtetasi S.N., dhe se ai ka kryer aktivitetin kriminal të “Mashtrimi kompjuterik” parashikuar nga nenet 143/b/3 i K.Penal duke i përvetësuar viktimës shumën prej 25.000 euro.
Gjate hetimit dhe gjykimi u zbulua dhe mekanizmi i kryerjes së këtij mashtrimi kompjuterik, i cili ka arritur të mashtrojë disa biznese në Shqipëri. Prokuroria zbuloi se emailet dhe faqet e kompanive me nivel mbrojtjeje të ulët apo pasëorde të thjeshta, hakeroheshin nga hackera ndërkombëtarë të cilët gjurmojnë këto faqe dhe bisedat që kanë lidhje me pagesa faturash dhe transferta monetare me destinacion nga brenda për jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Më pas, ata hyjnë në komunikime me bizneset duke u paraqitur vetë si subjektet furnizuese të mallrave. Këtë e bëjnë duke hapur faqe të ngjashme dhe adresa emaili te ngjashme dhe për t’u bërë të besueshëm i referohen bisedave të mëparshme të bëra nga subjektet me furnizuesit e vërtetë në rrugë telematike (biseda këto te hakeruara). Pasi bëhen të besueshëm nxjerrin justifikime menaxhimi dhe kërkojnë që pagesat të kryhen në llogari të tjera, duke përvetësuar gjithë pagesat e bizneseve, të cilët mendojnë se po paguajnë partnerin e tyre.
Si një rast i përsëritur, Prokuroria pranë Gjykatës e Shkalles se Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë gjen rastin tu bëjë thirrje bizneseve që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve, duke marrë masa për një mbrojtje të lartë të sistemeve të tyre kompjuterike, të faqeve të tyre të biznesit si dhe të emaileve apo pasëordeve si dhe të kontrollojnë me kujdes autenticitetin e çdo faqeje biznesi dhe të çdo adrese emaili e komunikim që bëhet apo ku kërkohet ndryshimi i destinacionit të pagesës së faturave të furnizimit.