Ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar një udhëzim të ri që ndalon përdorimin e telefonave celularë në të gjitha shkollat parauniversitare të vendit. Dokumenti, i cili ka hyrë në fuqi ditën e djeshme, më 24 shtator 2025, përcakton qartë rregullat, përjashtimet dhe masat që lidhen me këtë vendim, i cili synon të krijojë një mjedis më të qetë dhe më të përqendruar për nxënësit gjatë procesit mësimor.
Sipas udhëzimit, nxënësit nuk do të mund të përdorin celularin gjatë orëve të mësimit apo gjatë qëndrimit në ambientet e shkollës. E njëjta ndalesë vlen edhe për mësuesit, përveç rasteve emergjente ose kur përdorimi i pajisjes lidhet drejtpërdrejt me nevoja pedagogjike apo organizative të miratuara nga drejtoria e shkollës. Çdo telefon që konstatohet i përdorur në mënyrë të palejuar do të merret nga mësuesi dhe do të dorëzohet në drejtori deri në përfundim të orarit mësimor.
Për të siguruar zbatimin e masës, çdo klasë do të ketë një kuti ose sirtar ku nxënësit duhet të vendosin telefonin në fillim të orës së mësimit, të fikur ose në modalitetin “Airplane”. Në rastet kur komunikimi me prindërit është i domosdoshëm, ai do të bëhet vetëm me lejen e mësuesit kujdestar apo të drejtorit të shkollës.
Udhëzimi vendos gjithashtu një sërë përgjegjësish për drejtuesit e shkollave dhe për prindërit. Drejtoria ka për detyrë të informojë nxënësit dhe prindërit për këto rregulla, të organizojë takime sensibilizuese dhe të raportojë mbi zbatimin e tyre tek zyrat vendore të arsimit. Nga ana tjetër, prindërit duhet të bashkëpunojnë me shkollën për të siguruar që fëmijët e tyre nuk e përdorin celularin gjatë qëndrimit në shkollë. Nëse vendosin t’i pajisin me telefon, ata duhet ta deklarojnë këtë në fillim të vitit shkollor dhe të pranojnë rregullin që pajisja të qëndrojë e fikur gjatë gjithë procesit mësimor.
Sa i përket masave disiplinore, udhëzimi parashikon që në rast të shkeljes për herë të parë nxënësi të këshillohet dhe prindi të njoftohet menjëherë. Në rast përsëritjeje, veçanërisht në arsimin bazë, merren masa më të thelluara si përfshirja në komisionin e disiplinës dhe angazhimi i nxënësit në aktivitete edukative e komunitare. Për nxënësit e arsimit të mesëm të lartë, masat disiplinore janë të përshkallëzuara dhe përcaktohen në rregulloren e brendshme të shkollës.
Vendimi është mbështetur në studime kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat kanë treguar efektet negative të përdorimit të tepruar të telefonave celularë dhe rrjeteve sociale tek të rinjtë, si ulja e përqendrimit, dobësimi i kujtesës dhe rritja e rasteve të bullizmit. Përmes këtij udhëzimi, Ministria e Arsimit synon jo vetëm të përmirësojë rezultatet shkollore, por edhe të rrisë sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve, duke e forcuar shkollën si një hapësirë edukimi dhe zhvillimi social.







