Prurjet turistike u përmirësuan në gusht teksa numri i të huajve që hynë në Shqipëri u rrit me gati 10 për qind krahasuar me gushtin e një viti më parë. Instituti i Statistikave raportoi se Shqipëria u vizitua nga 2 milionë e 380 mijë shtetas të huaj gjatë muajit gusht, ose 220 mijë më shumë se sa gushti i vitit të kaluar.
Ajo e gushtit është norma më e lartë e rritjes e shënuar gjatë këtij viti në termat e turistëve të huaj. Ndërkohë në total si 8 mujor, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë shifrën 8.97 milionë ose 5.2 për qind më shumë se sa 8 mujori i një viti më parë.
Europianët mbeten mysafirët kryesorë të turizmit shqiptar. Sipas INSTAT, në gusht 97 për qind e të huajve që hynë në Shqipëri vinin nga një vend i kontinentit të vjetër, ndërkohë që pjesa e mbetur prej 3 për qind janë turistë jo europianë.
Por teksa hyrjet e të huajve në Shqipëri mbeten në ritme të vakëta rritje, e kundërta po ndodh me shqiptarët, të cilët duket se kanë filluar të pushojnë gjithmonë e më shumë jashtë shtetit.
Sipas INSTAT, në tetë muajt e parë të vitit, shqiptarët kryen 5.76 milionë udhëtime jashtë shtetit me një rritje prej 9.2 për qind mbi bazë vjetore.