Ballina Politika Tomorri: Deputetët socialistë të marrin akt politik sot, ndryshe do të mbahen...

Tomorri: Deputetët socialistë të marrin akt politik sot, ndryshe do të mbahen mend si tradhtarë

49
0

Gazetari Klodian Tomorri u ka bërë thirrje deputetëve socialistë që të marrin një ‘akt politik’ në votimin për reformën e re administrativo-territoriale, duke paralajmëruar se në të kundërt do të mbahen mend si njerëz që kanë tradhtuar zgjedhësit e tyre.

I ftuar në SYRI TV, Tomorri tha se votimi për reformën territoriale është një moment shumë më i rëndësishëm, sipas tij, se debati politik rreth kërkesës për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Sipas gazetarit, reforma prek drejtpërdrejt jetën e qindra mijëra qytetarëve dhe nuk duhet të shihet thjesht si një përplasje brenda Partisë Socialiste.

Ai u ndal te deputetët socialistë që kanë artikuluar më herët qëndrime për demokratizimin e partisë dhe forcimin e institucioneve, duke thënë se sot është momenti për t’i dëshmuar këto qëndrime me votë, ose ndryshe do të mbahen si tradhtarë.

‘Balluku është më i rëndësishëm në kuadrin e testit në publik sesa kjo që po kalon sot. Sigurisht që Belinda Balluku ka të bëjë me sundimin e ligjit, me një event, por kjo është një reformë që prek jetët e njerëzve dhe jo, dhe jo, dhe jo një, dy, tre, por prek jetët e qindra mijëra qytetarëve.

Është një reformë e cila bëhet pa asnjë bazë reale, por thjesht edhe vetëm për kalkulimet elektorale të qeverisë. Pra dëmi që bëhet aty është shumë i madh. Dhe nëse ka sot brenda Partisë Socialiste deputetë të cilët mendojnë se duhet vënë interesin publik mbi interesin e partisë, është ky rasti, jo kërkesa e imunitetit të zonjës Balluku.

Zonja Spiropali, zoti Braçe, zoti Sinaj, apo kushdo tjetër, nëse kishin për të ndërmarrë akt politik duhet ta ndërmerrnin sot. Pra zonja Spiropali ka dalë me parimin e demokratizimit të partisë, me parimin e institucioneve të forta. Është rasti sot, nuk mund të jetë thjesht një inat personal apo sherre klanesh që Partia Socialiste ka brenda njëra-tjetrës dhe ne pastaj dalim bëjmë luftën e demokracisë.

Pra ajo që dua të them është që ata deputetë të cilët kanë shqetësimin apo ndjejnë që këtu gjërat nuk janë duke shkuar siç duhet të shkojnë, dhe kjo mazhorancë është totalisht e shthurur, sot duhet të marrin aktin politik. Sepse ky votim është rasti flagrant kur parlamenti, mazhoranca në fakt, nuk përfaqëson më vullnetin e zgjedhësve të saj.

Të gjitha sondazhet në bashkitë që planifikohet të shkrihen, 99% e atyre zgjedhësve që kanë votuar këta deputetë, janë kundër shkrirjes. Zoti Sinaj e ka mbarin e votave të tij në Selenicë. Selenica është një nga bashkitë që zhduket.

Pra 99% e atyre njerëzve që kanë votuar për ta çuar zotin Sinaj në parlament, janë kundër dhe ky votim është qartazi rasti kur parlamenti nuk përfaqëson më vullnetin e qytetarëve. Pse është një reformë me pasoja afatgjata? Edhe për një arsye tjetër. Do jetë shumë e vështirë që kjo të zhbëhet sepse do jetë shumë e vështirë në vijim të ketë një mazhorancë me 84 vota për të bërë apo për të zhbërë këtë reformë nëse kalon sot.

Çfarë ndodhi me eksperimentin që Edi Rama bëri në 2014-n a 2015-n kur ishte reforma e parë? I cili, reforma e parë administrativo-territoriale, e cila i u shit publikut, e mbani mend, tundnin tabelat këta atëherë, e shihni sa paguhen për rroga, e shihni ne do… lekët ikin për rroga, ne do bëjmë reformë, do vëmë shërbimet, do çojmë shërbimet, do rrisim investimet. Raporti i pagave ndaj buxhetit total të bashkive sot është më i përkeqësuar sesa ishte përpara se ne të ndërmerrnim reformën. Çfarë bëri reforma? Thjesht largoi shërbimin nga qytetari. Çfarë bën reforma e re? E largon edhe më shumë.

Pra, ti të ecësh në një rrugë që e ke të provuar që e bëre gabim dhe ta thellosh më tej, je idiot. Ose je malinj, ke qëllime malinje. Pra kjo është ajo që po ndodh. Prandaj unë them që ata deputetë të mazhorancës nëse kanë për të ndërmarrë akt politik, duhet ta bëjnë sot. Përndryshe do të mbahen thjesht mend si disa njerëz që tradhtuan zgjedhësit e tyre, tradhtuan interesin e tyre dhe u përkulën’, u shpreh Klodian Tomorri