Koorporata e Investimeve Shqiptare ka rishpallur thirrjen publike për projektin “Lift Tower”, që ka të bëjë me “Ndërtimin dhe menaxhimin e godinës së Kadastrës Shqiptare”, pasi procesi nuk arrinte të prodhonte një fitues pas dy fazave të konkurrimit.
Projekti i investimit synon të transformojë hapësirat dhe godinat e vjetra shtetërore që shfaqin aktualisht shenja amortizimi, degradimi dhe infrastrukturë të vjetëruar, jobashkëkohore dhe ku kushtet ekzistuese tregojnë nevojën për të përmirësuar cilësinë e pronave.
Korporata nëpërmjet kësaj procedure konkurruese publike ndërkombëtare synon të përzgjedhë partnerin privat, në cilësinë e Sipërmarrësit për zhvillimin e pronës për sipërmarrje, duke realizuar projekt-idenë arkitekturore të bashkimit të subjekteve Baukuh Studio Associato & Muoto & Sam Chermayeff Office & Yellow Office & Bollinger Grohmann & Atmoslab & Simoj Boudvin & Arkimade.
Për të mundësuar zhvillimin e godinës së Kadastrës Shqiptare (kushti publik i transferimit të pronës) dhe në mënyrë që institucionet publike të përfitojnë pa kosto 34,000 m2 ndërtim me parametra modernë dhe cilësorë, vihet në dispozicion nga ATP për zhvillim me sipërmarrjen të godinës “LIFT Tower”, prona e saj tek rruga “Muhamet Gjollesha”, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, rreth 2,357.55 m2. Kjo pronë ka vlerë të lartë ekonomike për sipërmarrjen dhe si rrjedhim është me interes për t’u zhvilluar.
Një pjesë e nevojave financiare të këtij projekti mbulohen paraprakisht nga Korporata dhe rimbursohen në vijim nga partneri privat.
Institucionet Publike nuk kanë asnjë implikim/kontribut financiar për sa i përket kostove dhe shpenzimeve pasi godinat e reja do të ndërtohen 100% me kapitalin financiar të partnerit privat. Përkundrazi, Institucionet Publike do të përfitojnë nga kjo skemë koston e qirasë që shumë prej institucioneve që do të akomodohen në godinën e Kadastrës Shqiptare, aktualisht e paguajnë për zyrat ekzistuese.
Objekti “LIFT Tower” do të ketë 40 kate mbitokë dhe 7 kate nëntokë dhe do të përfshijë disa funksione si parkim, shërbime tregtare, zyra, hoteleri/rezidenca studentore, banim.
Sipërfaqet e propozuara në konkurs për secilin funksion/destinacion janë subjekt ndryshimi në bashkëpunim me partnerin privat fitues. Detyra e Projektimit të Konkursit të Arkitekturës nuk ka diktuar përqindjen sipas funksioneve. Propozimet e projektit fitues janë sipas vlerësimit të 51 projektuesit dhe nuk përbëjnë domosdoshmëri. Leja Zhvillimit është miratuar, por nuk është zbardhur ende nga AZHT. Mënyra e dorëzimit të objekteve i sistemeve HVAC, elektrike dhe emergjente në projekt do të jetë sipas detyrës së projektimit te Konkursit të Arkitekturës, thuhet në dokumentin e kualifikimit.
Ndër kriteret ekonomike që duhet të plotësojë aplikanti është që duhet të ketë akses në, ose në dispozicion, asete likuide, asete reale të palidhura me borxhe, linja krediti dhe mjete të tjera financiare (pa përfshirë pagesat paraprake kontraktuale) të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e fluksit të parave për financimin e projektit të vlerësuara në 8,500,000 (tetë milion e pesëqind mijë) Euro për kontratën në fjalë, përveç angazhimeve të tjera të aplikantit.
Gjithashtu kërkohet të ketë eksperiencë prej jo më pak ose baraz me 1 kontratë të ngjashme në natyrë, me vlerë të barabartë ose më shumë se 4 milionë Euro (ose ekuivalenti në Lekë) ose me realizimin e të paktën 3 kontratave të ngjashme me vlerën totale të të gjitha kontratave të barabartë ose më shumë se 6 milionë Euro (ose ekuivalenti në Lekë), të cilat janë përfunduar në mënyrë të kënaqshme në masën të paktën 80% sipas kontratës respektive, në rolin e kontraktorit kryesor, si anëtar në bashkim subjektesh, kontraktor menaxhues ose nënkontraktor në periudhën për të paktën 5 vitet e fundit, nga data e shpalljes së Njoftimit të Procedurës Konkurruese.
Faza e dytë e konkurrimit do t’u njoftohet vetëm kandidatëve të kualifikuar në fazën e parë nëpërmjet dërgimit të Ftesës për Ofertë. Ofertat e paraqitura nga kandidatët në këtë fazë duhet të plotësojnë kriterin bazë, i cili është 45% dhe do të vlerësohen me kriterin përzgjedhës, i cili është: përqindja më e lartë e sipërfaqjes përkatëse e ofruar për Korporatën në ndërtesën LIFT Tower mbi kriterin bazë. Shpallet fituese oferta që ofron vlerën më të lartë të kësaj përqindjeje.
Aplikimet janë të hapura me afatin e ri deri më 24 tetor 2025, ora 15:00.