Ballina Aktualitet Përmbarimi u kërkon të dalin nga banesat, qytetarët protestojnë para Bashkisë Durrës:...

Përmbarimi u kërkon të dalin nga banesat, qytetarët protestojnë para Bashkisë Durrës: Duam zgjidhje!

78
0

32 familje që prej 3 dekadash banojnë në vilat 36 dhe 38 në zonën e plazhit të Durrësit kundërshtojnë vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që kërkon që ata të dalin nga shtëpitë e tyre, sepse 2 godinat janë privatizuar nga pronari i truallit dhe nuk janë më pronë e bashkisë.

Urdhri i përmbarimit që u kërkon të lënë banesat deri më datë 5 tetor i ka alarmuar banorët, të cilët mëngjesin e sotëm janë paraqitur para bashkisë Durrës për të kërkuar një takim me kryebashkiaken Emiriana Sako për këtë çështje.

Banorët deklarojnë se gëzojnë statusin e të pastrehut dhe kërkojnë nga bashkia një zgjidhje alternative për strehimin e tyre, ashtu siç u është premtuar gjatë takimeve të mëparshme.

Pas protestës së sotme, banorëve u është komunikuar se do të zhvillojnë ditën e hënë të javës së ardhshme një takim me drejtuesit e bashkisë për të diskutuar lidhur me çështjen e strehimit të tyre dhe sesi do të procedohet më tej.

Nga interesimi ynë pranë institucionit të qeverisjes vendore mësojmë se familjet që janë të pastreha dhe që nuk disponojnë një banesë tjetër do të trajtohen sipas programeve të strehimit të bashkisë Durrës, pasi të bëjnë aplikimin përkatës.