Në podkastin e tij ‘Flasim’, kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme për Paketën Fiskale 2027 dhe konkretisht për uljen në 6% të TVSH-së për 54 produkte të shportës. Rama tha gjatë fjalës së tij se e rëndësishme është që kjo ulje e çmimeve të reflektohet edhe në praktikë.
Për qytetarët, Rama këshilloi që të ‘konsultohen’ me ‘Pasqyrën Dixhitale të Çmimeve’, në të cilën raportohen çmimet e 224 produkteve të ndryshme dhe ku njerëzit kanë mundësi të bëjnë krahasimet.
“Paketa e re fiskale, një pikë shumë e rëndësishme e saj ishte një pikë që adresonte problematikën e çmimeve të ushqimeve bazë, për të cilat, 54 produkte, Parlamenti me propozim të Qeverisë vendosi të ulë TVSH-në nga 20% në 6%. Por kjo ulje, të mos jetë një ulje që të mbetet relativisht, sepse gjithsesi një ulje do reflektohet, por që të mbetet në shifrat e ligjit, duhet që edhe zbatimi në praktikë të shoqërohet me dije dhe përgjegjshmëri nga tregtarët, por edhe me kontrolle dhe sa më shumë transparencë nga qeveria.
Sot ne kemi një instrument shumë të ri që është aktiv, që është pasqyra dixhitale e çmimeve, që gjendet e reflektuar në të gjitha ato pika shitje që e kanë përqafuar këtë iniciativë dhe që raportojnë çmimet e 224 produkteve dhe qytetarët kanë mundësi të bëjnë krahasime. Edhe për klientët e supermarketeve, është e rëndësishme që të shohin në kohë reale njëri-tjetrin”, tha mes të tjerash Rama.
Më tej Rama, duke diskutuar me bisnesmenë të rrjeteve të marketeve, tha se ishte i vetëdijshëm që pas uljes së TVSH-së në 6%, do të ishte disi e vështirë që automatikisht edhe çmimet të uleshin.
Për kryeministrin Rama ‘kapitalizmi është kafshë e egër, që nuk bëhet lepur’. Sipas Ramës, shumë prej bizneseve do të tentojnë të mos i ulin çmimet pas uljes së TVSH-së, pasi duan që të fitojnë më shumë.
Duke kujtuar gjyshen e tij, Rama përmendi edhe një shprehje të saj, ‘fqinj i lumtur, shtëpi e lumtur’.
Sipas Ramës, nëse dikush pasurohet, por ai që është afër tij nuk mbyll dot muajin, atëherë problemi do të jetë për të dy. Dhe në këtë rast sipas kryeministrit, duhet të ndërhyjë qeveria për të zbutur hendekun mes shtresave të ndryshme shoqërore.
“Kapitalizmi është kafshë e egër, nuk bëhet kapitalizmi lepur. Ju do e shikoni që kjo do sjellë impakt të menjëhershëm në momentin kur ju do keni një TVSH më të ulët. Shpesh herë nuk e kuptoj, gjyshja ime që nuk kishte shumë shkollë, por që lexonte libra çdo pasdite thoshte një shprehje ‘fqinj i lumtur, shtëpi e lumtur’. Që do të thotë se ti mund të pasurohesh dhe të kesh shumë gjëra, por nëse ai që është afër teje nuk arrin dot të nxjerrë fundin e muajit, duhet të mendosh edhe për të në kontributet që jep, sepse pastaj do vij te ty. Një shoqëri që zhvillohet dhe në një zhvillim kapitalist, si në Shqipërinë e këtyre viteve, që zhvillimi fillon e merr një ritëm të ri, krijon vetvetiu hendeqe me ata që mbeten pas. Prandaj duhet ndërhyrja e Qeverisë.
Kështu që më mirë që këta njerëzit që e kanë më të vështirë sesa të tjerët që të ngrenë atë shportën me ushqime ta marrin më lirë sesa ç’do të ishte fitimi maksimal, sesa ajo shporta t’u bëhet një barrë aq e madhe sa një ditë të vijnë në xhamat e magazinës time. Unë e kuptoj shumë mirë këtë pjesë dhe e di që me predikime nuk zbutet kapitalizmi, por gjyshja ime kishte edhe diçka tjetër. Ajo besonte se ka edhe një botë tjetër, ku ka një biletë për të shkuar në ferr, në parajsë apo purgator. Ajo kur isha i vogël ma shpjegonte si kinema”, shtoi Rama.







