Ndërkohë që në Shqipëri kryeministri Edi Rama ka shpallur objektivin e “heqjes” nga qarkullimi të parasë fizike, Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka theksuar rëndësinë e parave të gatshme si një mjet për përgatitjen kombëtare për kriza, duke u kërkuar familjeve të mbajnë para’ në shtëpi për raste urgjente. Thirrja vjen pas praktikave që tashmë janë në fuqi në vende si Holanda, Finlanda dhe Austria, ku qytetarëve u këshillohet të kenë 70-100 euro për person në para të gatshme. Programe të ngjashme janë zhvilluar nga Suedia dhe Norvegjia, raportoi televizioni Scan.
Argumenti kryesor është se sistemet digjitale mund të shemben në një moment të caktuar. Thirrja vjen pas një këshille të ngjashme për qytetarët në shtetet anëtare për të grumbulluar mjaftueshëm para, ushqim, ujë dhe ilaçe për të mbijetuar për 72 orë në rast të një ndërprerjeje të shërbimit. Këshilla u nxit nga lufta në Ukrainë, pandemia Covid-19 dhe fatkeqësitë natyrore. Zjarret dhe përmbytjet kanë ekspozuar dobësitë e Evropës dhe kanë çuar në rritjen e shpenzimeve për sigurinë dhe mbrojtjen.
“Paraja është një element kritik i përgatitjes kombëtare për kriza”, thuhet në raportin e BQE-së, i cili shqyrton ndikimin e krizave të tilla si pandemia dhe ndërprerjet e energjisë në Spanjë dhe Portugali. Ai gjithashtu vëren se monedha fizike “jo vetëm që shërben për të përmbushur nevojat individuale, por gjithashtu kontribuon në një rezistencë më të gjerë sistemike”.
“Dobia e parave të gatshme rritet ndjeshëm kur stabiliteti kërcënohet – pavarësisht natyrës specifike ose fushëveprimit gjeografik të tronditjes themelore, ose shkallës së digjitalizimit”, pohon gjithashtu BQE.
Pagesat digjitale dominojnë transaksionet me pakicë dhe bankat po ulin kostot duke mbyllur degët dhe bankomatët. Por politikëbërësit janë nën presion për të siguruar që familjet të ruajnë aksesin në kartëmonedha dhe monedha.
Dokumenti i BQE-së thekson një paradoks: Pavarësisht faktit se paratë e gatshme mungojnë gjithnjë e më shumë në pagesat e përditshme, kërkesa për to rritet kur besimi në sistemet financiare, ose digjitale tronditet.
Ky model sjelljeje ishte i dukshëm gjatë pandemisë dhe ngjarjeve të tjera, siç ishte ndërprerja e energjisë elektrike që paralizoi Spanjën dhe Portugalinë në pranverë.
Në rastin e pandemisë, paratë e gatshme u rritën me 140 miliardë euro në dy vjet, krahasuar me një rritje vjetore prej 55 miliardë euro para krizës, vëren BQE. Rritja erdhi edhe pse konsumatorët iu drejtuan kartave pa kontakt dhe blerjeve online, për shkak të shqetësimeve shëndetësore dhe izolimit.
Sipas raportit, sistemet e parave të gatshme duhet të ndërtohen për t’i bërë ballë krizave të rralla, por ekstreme.