Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mori pjesë në festën e ditëlindjes së ish-kongresistit dhe ish-kreut të Ligës Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi dhe bashkëshortes së tij, Shirley Cloyes DioGuardi, të cilët prej dekadash janë angazhuar fuqishëm në mbështetje të çështjes shqiptare.
Kurti shprehu mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për kontributin e pazëvendësueshëm të çiftit DioGuardi në momente kyçe të historisë së vendit.
Shkrimi i plotë
Çdo shqiptaro-amerikan, pavarësisht pikëpamjeve apo përkatësive politike, e pranon se Joe DioGuardi luajti një rol qendror për zërin e shqiptarëve në politikën amerikane në një kohë vendimtare për Kosovën. Ai ishte personi që u hapi dyert e politikës amerikane shqiptarëve, kur jo shumë njerëz ishin të interesuar të dëgjonin për vuajtjet tona në ish-Jugosllavi.
Teksa ai qëndronte në krah të vërtetës dhe popullit tonë, përkrah tij qëndronte bashkëshortja e tij, Shirley. Bashkë, lobuan te Presidenti Clinton për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, duke u siguruar që Bosnja të mos përsëritej; mbrojtën UÇK-në si një ushtri çlirimtare me një kauzë të drejtë; bindën administratën Bush se pavarësia e Kosovës nuk duhej të vonohej dhe në vitin 2008 kjo u bë realitet; dhe deri më sot, kanë punuar pa u ndalur në Uashington DC për t’u siguruar që përgjegjësia të vendoset aty ku i takon, mbi ata që minojnë paqen dhe sigurinë.
Mbrëmë Joe festoi ditëlindjen e 85-të, kurse Shirley të 75-të. Veprat e tyre janë shembulli i shkëlqyer se çfarë dy amerikanë, të udhëhequr nga ndërgjegjja dhe miqësia, mund të bëjnë për një popull që lufton për lirinë e tij. Gëzuar! Qofshi të bekuar me shëndet dhe gëzim!