Ballina Politika Raporti i DASH, Bardhi: Gjendja nuk erdhi nga hiçi, u krijua nga...

Raporti i DASH, Bardhi: Gjendja nuk erdhi nga hiçi, u krijua nga Rama! Investimet, lejet i ndan në takime private

108
0

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, bëri përgjegjës për gjendjen e investimeve të huaja në Shqipëri, të evidentuara nga Raporti i DASH-it, kryeministrin Edi Rama, për të cilin tha se i ndan investimet, lejet e biznesit dhe licencat nëpër takime private apo sekrete si ai në Aruba.

Deputeti thekson gjithashtu se edhe Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015 me qëllim nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja në sektorët strategjikë, nuk ka tërhequr shumë investime të huaja.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

“Raporti i vitit 2025 mbi klimën e investimeve në Shqipëri publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit është një aktakuzë realiste mbi gjendjen ku ndodhet sot ekonomia shqiptare. Ky raport provoi edhe njëherë denoncimet me fakte të opozitës shqiptare për kriminalizimin e ekonomisë gjatë qeverisjes së Edi Ramës.

Departamenti Amerikan i Shtetit konstaton se prania e madhe e të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembërojnë konkurrencën në treg. Raportimi i investitorëve se mund të jenë objekt shantazhesh nga administrata publike, media dhe grupe kriminale, është faktori kyç që mban larg investimet e huaja nga Shqipëria.

Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015 me qëllim nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja në sektorët strategjikë, nuk ka tërhequr shumë investime të huaja, pavarësisht zgjatjeve të shumta përtej afatit fillestar, dhe se shumica e mbi 60 projekteve të miratuara fokusohen në sektorin e turizmit dhe dominohen nga investitorë vendas.

Gjendja e trishtë e përshkruar në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk ka ardhur nga hiçi. Ajo është krijuar nga Edi Rama, që investimet, lejet e licencat për biznes, në shkelje të konkurrencës, i ndanë në takime private nëpër hotelet e botës apo nëpër takime sekrete me krimin e organizuar si ai në Aruba. Për të ndryshuar gjendjen, për të çliruar ekonominë nga korrupsioni e krimi i organizuar, duhet të largohet përgjegjësi i kësaj situate që është Edi Rama”.