Ballina Opinion Dy anët e një logjike të helmuar

Dy anët e një logjike të helmuar

25
0

Nga Thoma Gëllçi

Ka disa ide që duhej të ishin hedhur në varr bashkë me kohët e errëta, por ja që njerëzimi i mban si qeni kockën e qelbur. Njëra prej tyre është kjo: disa popuj meritojnë shtet, të tjerët jo. Disa e trajtojne shtetesine si të blesh biletë për në stadium, por roja të thotë: “Nuk hyn dot sot, se s’të shoh të qytetëruar.” Roja gjithmonë ka një listë justifikimesh në xhep: “nuk keni institucione”, “nuk dini të vetëqeveriseni”, “jeni pak prapa me modën e start-up-eve.” E njëjta këngë që u këndua për afrikanët, indianët e Amerikës, armenët — dhe gjithmonë përfundoi në gjak. 

Sot kjo logjikë rimerret me kostum të ri. Njëra palë thotë me ton profesori: “Palestina nuk është gati për shtet.” Ndërkohë, Hamas e Ajatollahët bërtasin si në pazarin e gjese se gjalle: “Izraeli nuk duhet të ekzistojë!” Dy zëra që duken kundër, por këndojnë në të njëjtin kor: kush duhet zhdukur i pari! 

Kosova është shembulli i fresket. Për dekada Beogradi predikonte se shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet, ndaj duheshin mbajtur me kujdestar. Kujdestar që i rrihte, ua shkatërronte shkollat, institucionet e jetën. Pastaj, kur gjërat shpërthyen, tha: “Ja, e shihni që nuk dinë të qeverisen!” Ironi më të madhe nuk ka: pas gjithë asaj dhune, Kosova sot është shtet. Jo perfekt, por më mirë shtet i lodhur se i nënshtruar. 

Kjo farsë bëhet edhe më qesharake kur vishet me petka të shenjta. Nuk eshte e papritur qe  një Torquemada i ri, jo në kështjellat e Kastiljes, por në bulevarde në Tiranë, ndan çmime për popujt: 

— “Çmimi për më të padenjtët për shtet, palestinezët!” 

— “Çmimi për më të padëshiruarit, izraelitët!” 

— “Çmimi për ata që nuk dinë të qeverisen, shqiptarët e Kosovës!” 

Historia ka një zakon të keq: i çon këto fraza drejt gropës së përbashkët. Srebrenica, Ruanda, Auschwitz, Kosova. Çdo gjë nis me fjalë të bukura a të egra, por mbaron me kufoma. 

Pastaj dalin edhe “ekspertët e ekonomisë morale” që numërojnë miliardat dhe start-up-et si të ishin kupat e futbollit: kush ka më shumë, meriton shtet. Në fakt, ky është kolonializëm i vjetër me gjuhë të re. Afrikanëve u thoshin: “Nuk dini të qeveriseni, prandaj do t’ju qeverisim ne.” Indianëve të Amerikës: “Nuk punoni tokën siç duhet, prandaj është e jona.” Hebrenjve: “S’keni dhënë ekonomi moderne, prandaj duhet t’ju përjashtojmë.” Përfundimi gjithmonë një: genocid. 

Sot disa thonë: “Palestinezët nuk dinë të qeverisen.” Po kjo është e njëjta notë që këndoi Hitleri kur shpalli popujt “degjeneruar”, apo teoritë e apartheidit në Afrikën e Jugut: “zezakët nuk dinë demokraci, prandaj kontrollohen nga të bardhët.” E njëjta këngë, vetëm me instrumente të ndryshme. 

Por shteti nuk fitohet as me PBB, as me teknologji, as me parlament të lustruar. Hebrenjtë nuk e fituan shtetin sepse ishin më të pasur, por sepse kishin të drejtën njerëzore për vetëvendosje. Shqiptarët e 1912-s nuk kishin industri apo demokraci të plotë, por ngritën shtetin e tyre sepse nuk pranonin më të jetonin të shkelur. 

Në fund, maska bie: nën fjalët e moralit fshihet racizmi i vjetër që ndan popujt në “të qytetëruar” dhe “të paaftë.” Disa përdorin statistika të ftohta, të tjerët slogane të nxehta, por të gjithë shkojnë në të njëjtin destinacion: mohimin e ekzistencës. Njëra thotë: “S’je mjaftueshëm i zhvilluar.” Tjetra thotë: “Je i papastër, zhduku.” Dy rrugë të ndryshme, por që të çojnë në të njëjtën humnerë.