Nga Artan Hoxha
Mbas disa muajsh diskutime e negociime, 27 vendet anëtare të BE ranë dakord, në nivel ekspertësh dhe në nivel politik ambasadorësh, të miratojnë me konsensus raportin IBAR (Interim Benchmark Assessment Report), raport ky që lidhet me kapitujt 23 dhe 24, pra me standardet e demokracisë, mirëqeverisjes dhe ligjit që duhen arritur nga Shqipëria përpara përmbylljes së negociatave për të gjithë kapitujt. Thënë shkurt, ky hap përmbyll fazën e çeljes së negociatave për të gjithë kapitujt dhe shënon fazën tjetër, atë të ecjes drejt përmbylljes së negociatave për të gjithë kapitujt, e ku të fundit përmbyllen pikërisht ato 23 dhe 24.
Diferenca mes draftit të IBAR të dorëzuar nga Komisioni Europian në shkurt, ku rol kryesor në formulimet e tij ka Komisioneri i Zgjerimit Marta Kos, dhe raportit përfundimtar të sapomiratuar me konsensusin e 27 vendeve është e jashtëzakonshme. Vetë vendet anëtare janë kujdesur që diferencat e përmbledhura në 32 paragrafë të krahasohen me respektivet e mëparshme dhe në një kolonë të veçantë të japin edhe shpjegimin mbi domethënien e ndryshimit, duke cilësuar rastin kur paragrafi është tërësisht ‘i ri’ (14 raste gjithsej) dhe rastet e tjera kur paragrafi është ‘i forcuar’ krahasimisht.
Më së pari, raporti final ka eliminuar (në raport cilësohet ‘i hequr’) të gjitha furçet hyrëse të draftit IBAR. Vendet anëtare nuk i kanë gëlltitur dot lëvdatat dhe pretendimet për sukses, të cilat i kemi dëgjuar rëndom në konferencat e përbashkëta të kryerilindësit Rama dhe komisioneres Kos.
Së dyti, raporti final, ndryshe nga drafti i shkurtit, ka identifikuar apo theksuar deficite të rënda të sistemit demokratik e pluralist në Shqipëri, veçanërisht të funksionimit faktik të institucioneve përkatëse – që nga njëhsimi i partisë me shtetin, patronazhimi i votës, keqpërdorimi i burimeve shtetërore, veçanërisht në zgjedhje, pabarazia e garës, injorimi i të drejtave të opozitës në parlament dhe shndërrimi i parlamentit në shtojcë të qeverisë, cenimi i demokracisë dhe autonomisë vendore, cenimi i lirisë së medias e të informimit dhe siguria e gazetarëve, mungesa e theksuar e përfshirjes së publikut në çështjet qeverisëse e të integrimit etj.
Së treti, raporti final, ndryshe nga ç’thotë Kryerilindësi Rama se korrupsioni është ulur, apo nga ç’thotë komisionerja Kos se ai është problem kulturor, e gradon korrupsionin në Shqipëri në nivelin ‘shqetësim thelbësor’ nga ‘shqetësim serioz’, që ka qenë jetë e mot në raportet periodike të BE-së, dhe vetë raporti kujdeset ta shpjegojë sa më qartë se ky gradim sinjalizon ‘status pranë vijës së kuqe’ sipas standardeve të BE-së. Gjithashtu, raporti identifikon deficite institucionale dhe në performancën qeverisëse si burim të këtij korrupsioni në ngritje, si dhe të sjelljes penguese e shantazhuese që ka shfaqur së fundmi qeveria dhe mazhoranca ndaj drejtësisë së posaçme dhe hetimeve të saj.
Së katërti, raporti final evidenton nevojën për të avancuar në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe problemet e rënda të lidhura me policinë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe me peshën e lartë të informalitetit, korrupsionit dhe parasë kriminale në ekonomi.
Së pesti, raporti final me të drejtë evidenton edhe që deficitet e mësipërme në demokraci, qeverisje, drejtësi, shtet ligjor, korrupsion, krim të organizuar etj., kanë cenuar strukturën dhe tiparet e sistemit ekonomik, pa adresimin e të cilave Shqipëria nuk ka se si të kënaqë kriterin e ‘një ekonomie funksionale tregu’, dhe lë detyra specifike edhe lidhur me këtë çështje kardinale.
Lexuesi i vëmendshëm s’ka pse mjaftohet me përmbledhjen time të mësipërme, por mund ta gjejë e lexojë vetë raportin final, veçanërisht tabelën krahasimore që vetë raporti final bën me draftin fillestar. Nga këtu nuk është e vështirë të konkludohet se:
Së pari, vendet anëtare i dhanë ‘një shuplakë të fortë’ Komisionit Europian, komisioneres Kos në veçanti, për atë farë raporti lustrues e zbukurues të gjendjes dhe performancës së Shqipërisë lidhur me çështjet e mësipërme që janë thelbësore e vendimtare për ecurinë e mëtejshme të procesit negociator; njëherazi kjo është një shuplakë paralajmëruese edhe për Rilindjen dhe kryetarin e saj Rama, siç është edhe konfirmim se argumentet e opozitës dhe të pjesës opozitare të shoqërisë civile dhe medias nuk kanë rënë në vesh të shurdhët.
Së dyti, në alternativë të pezullimit të negociatave, vendet anëtare, qoftë si taktikë procesi e qoftë si interes madhor gjeopolitik, zgjodhën që ta kalojnë këtë hap procedural me analiza, përcaktime dhe detyra e objektiva të qarta për t’u arritur nga Shqipëria, pasi është e vetëkuptueshme se pa arritjen e tyre, ndonëse u përmbush hapja e negociatave për të gjithë kapitujt, nuk ka si të ndodhë përmbyllja e tyre.
Këtë radhë vendet anëtare nuk e pinë dhallën e Ramës e të Kos-it.
Unë vetë besoj se kjo qeveri e ky kryerilindës nuk do t’i realizojnë detyrat e as të arrijnë rezultatet e kërkuara sipas IBAR. Pse do të duhej ky IBAR – kaq brutalisht i qartë e i detajuar – për të na kujtuar se ende janë pa u bërë e u dashkan bërë detyrat më elementare për një vend që aspiron liri, demokraci dhe mirëqenie si gjithë Europa?!
Gjithsesi, qofsha gabim! I lumtur t’i bëjnë.







