Ballina Dossier “Dokumente të reja të dosjes hetimore të Mehmet Shehut, së bashku me...

“Dokumente të reja të dosjes hetimore të Mehmet Shehut, së bashku me provat shkencore, mbështesin versionin e vrasjes së tij, pasi…”/ Dëshmia e rrallë nga SHBA-ja, e profesorit të famshëm të mjekësisë ligjore

51
0

Nga Prof. Dr. Bardhyl Çipi

Disa vite më parë, përgatita dhe botova një studim mbi argumentet mjeko-ligjore dhe kriminalistike, që mbështesnin versionin se vdekja e Mehmet Shehut ka qenë vrasje. Në të vërtetë, kjo ngjarje ka bërë bujë, jo vetëm se Mehmet Shehu ka qenë figura e dytë më e rëndësishme e regjimit komunist, por edhe të faktit të shumë dyshimeve që kanë dale, për mënyrën e vdekjes së tij. Këto kanë ndikuar që ajo të analizohet me hollësi nëpërmjet botimeve të artikujve të panumërt, librave të shumta studimore që vazhdojnë të dalin edhe në kohën e tanishme.

Sipas të dhënave të njohura të kësaj ngjarjeje, diktatori Enver Hoxha dhe një ditë para vdekjes së Mehmet Shehut, në një mbledhje të Byrosë Politike, anëtarë të saj e kritikuan ashpër atë, duke e detyruar atë, sipas versionit zyrtar, të vrasi veten. Ky eliminim vërtetonte edhe njëherë një prej shfaqjeve më negative të jetës së këtij diktatori.

Studiuesi Donald Harvey, është shprehur për diktatorët se; “ata kontrollonin jetën e njerëzve të tjerë, nëse ata duhet të jetonin apo të vdisnin. Ata kishin fuqinë e kontrollit”! Edhe diktatori komunist shqiptar, Enver Hoxha, gjatë sundimit të tij mbi 40 vjeҫar, përveҫ të tjerave, eliminoi nëpërmjet vrasjeve, vetëvrasjeve dhe mënyrave të tjera mashtruese nga më të ndryshmet, një pjesë të madhe të bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas një opinion të njohur, “gënjeshtrat dhe mashtrimet që diktatorët përdornin për të mbuluar krimet e tyre kanë pasur një efekt të madh dëmtues të rrjetës morale të shoqërisë; prandaj, investigimi dhe shpallja e tyre janë të domosdoshme për shërimin e kësaj shoqërie”.

Ka qenë kjo një nga arsyet kryesore që më shtyu ta kryej këtë studim të publikuar para disa viteve në shtypin dhe median e vendit tonë, të përfshirë edhe në librin tim; “Provat shkencore të vdekjeve mbresëlënëse”, të botuar në vitin 2023.

Nga sa kam arritur të mësoj, ai është mirëpritur dhe lexuar nga një numër i madh personash, të cilët në përgjithësi kanë shprehur rreth tij opinione pozitive. Por mjaft prej tyre, siҫ më kanë pohuar edhe vetë, duke mos pasur njohuri të mjaftueshme mjekësore dhe juridike, nuk kanë arritur të kuptojnë plotësisht disa nga aspektet mjekoligjore dhe kriminalistike të kësaj ngjarjeje të hidhur, pavarësisht se në atë kohë u përpoqa që ta paraqes atë në një mënyrë sa më të thjeshtë dhe më të kuptueshme, për njerëzit e zakonshëm.

Në këto rrethana, si dhe të faktit që vitin e fundit në portalin Memorie.al, janë publikuar nga gazetari dhe studiuesi Dashnor Kaloçi, mjaft dokumente të reja arkivore të vdekjes së Mehmet Shehut, (në periudhën; dhjetor 2024-janar 2025, afro 34 numra rresht), po e analizoj përsëri atë.

Materiali i hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, mbi konkluzionet e studimit të vendit të ngjarjes dhe ekzaminimeve mbi vdekjen e Mehmet Shehut, është firmosur nga shefi i Hetuesisë të Tiranës – Koҫo Josifi, shefi i shërbimit Mjeko-ligjor – Bashkim Çuberi dhe eksperti kriminalist Estref Myftari, ndërsa ai pushimit të kësaj çështjeje, më datë 29 dhjetor 1981, është firmosur nga Koҫo Josifi.

Në këto dokumente, shënohet se vdekja e Mehmet Shehut është rezultat i vetëvrasjes me qitje me armë zjarri, e vërtetuar nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ekzaminimi i kufomës, ekzaminimi balistik i pistoletës, predhës dhe gëzhojës të gjetur në vendin e ngjarjes, ekzaminimi daktiloskopik i shenjës së gishtit të gjetur në pistoletë, eksperimentit hetimor dhe pyetjes së dëshmitarëve.

Sipas vendimit për pushimin e çështjes; “armiku Mehmet Shehu në momentin e vetëvrasjes ka qenë i shtrirë në krevat me shpatullat të mbështetura në jastëk. Qitjen e ka bërë me drejtim nga përpara prapa, nga sipër poshtë dhe lehtësisht, nga e djathta në të majtë. Qitja është kryer me pistoletën që disponohej nga vetë Mehmet Shehu.

Gishti tregues i dorës së djathtë, i gjetur në momentin e këqyrjes më i mbledhur se të tjerët, prania e gjurmëve të veprimit të copërave të barutit në thoin e gishtit të madh të kësaj dore dhe në lëkurën 2-3 mm. larg tij, si dhe prania në anën e djathtë të djepit luajtës të kësaj pistolete, e një gjurme gishti të njëjtë me atë të gishtit të të madh të dorës së majtë të Mehmet Shehut, provojnë se ky armik ka mbushur pistoletën me dorën e majtë, ndërsa me dorën e djathtë ka bërë qitjen dhe vetëvrasjen e tij”!

Në një shikim të parë të këtyre dy dokumenteve, edhe për një njeri të zakonshëm, jo specialist (jurist apo ekspert), bie në sy që kjo ngjarje është prezantuar dhe duket si e kopsitur në një mënyrë logjike, e mbështetur në të dhënat e shumta mjeko-ligjore dhe kriminalistike, ku shpjegohet madje edhe mënyra sesi viktima ka kryer aktin e vetëvrasjes.

Kjo mënyrë paraqitje mendoj se ka qenë e politizuar, sepse është shkelur parimi i paanshmërisë, kjo thjeshtë për faktin që për viktimën shkruhet; “armiku Mehmet Shehu”, apo për mënyrën sesi ai ka kryer vetëvrasjen, është shkruar se; “…ky armik ka mbushur pistoletën me dorën e majtë dhe ….”! Ȅshtë e palejueshme, që emri i një viktime, që jepet në dokumentet juridike, të jetë i shoqëruar me epitete diskriminuese.

Pjesëtarët e hetimit dhe ekspertimit të këtij rasti, duket se kanë qenë të detyruar që me ҫdo kusht ta paraqisnin atë vetëvrasje. Kjo aq më tepër që u ndalua kryerja e autopsisë së viktimës, kryerja e të cilës ka qenë e domosdoshme për një vdekje të tillë, jo të zakontë për kohën. Pra ka pasur një presion nga lart për këtë.

Kështu p.sh.; ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Prof. Dr. Llambi Ziҫishti, që ishte njëkohësisht mjek kirurg, pas këqyrjes së kufomës së viktimës, deklaroi publikisht disa here se kjo vdekje është vrasje, që mesa duket ky pohim duhet të ketë ndikuar në arrestimin dhe dënimin me vdekje të tij.

Në atë kohë, kisha pak vite që kisha filluar të punoja si mjek ligjor në Byronë apo Shërbimin Qendror Mjeko-ligjor që sot quhet Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML). Shef i tij ka qenë Doc. Bashkim Çuberi.

Me sa mbaj mend, ditët e para pas vdekjes së Mehmet Shehut, kisha vënë re një lloj ndjenjë shqetësimi të tij. Kur e kujtoj atë sot, mendoj se kjo mund të ketë qenë edhe për shkak të dyshimeve që ai mund të ketë pasur për vdekjen e Mehmet Shehut dhe detyrimit apo presionit për ta paraqitur atë si vetëvrasje.

Megjithatë, në këqyrjet dhe ekzaminimet e ekspertëve, që ndodhen në dosjen hetimore të këtij rasti, ata gjithsesi kanë lënë shumë gjurmë që nuk përkojnë me variantin zyrtar të vetëvrasjes, për të cilat mendoj se ka ardhur koha që ato të shqyrtohen hollësisht. Më konkretisht:

1 – E dhëna e parë që e ve në pikëpyetje vetëvrasjen ka qenë drejtimi i qitjes: nga përpara prapa dhe nga sipër poshtë, që ekspertët kanë përcaktuar në trupin e viktimës. Kjo sepse një drejtim i tillë, është tipik në vrasjet. Ndërsa në një vetëvrasje drejtimi i qitjes, ai duhet të ishte nga përpara prapa dhe nga poshtë sipër, apo horizontal.

2 – Një mospërputhje tjetër ka të bëjë me pozicionin shtrirë me shpatulla të mbështetura në jastëk, pozicion ky, në të cilin sipas dokumenteve të hetuesisë, Mehmet Shehu ka kryer qitjen vetëvrasëse. Ky konstatim është krejt në kundërshtim me faktin, që predha vdekjeprurëse është gjetur në pjesën e sipërme të krevatit, ku qëndronte viktima.

Me fjalë të tjera, në pozicioni shtrirë në shpinë të viktimës, predha pas qitjes, duhej të kishte shkuar poshtë, drejt pjesës së mesme të krevatit, sipas drejtimit nga përpara prapa dhe sipër poshtë (sipas të dhënave të këqyrjes së kufomës). Por ajo u gjet lart, pranë kreut të krevatit.

Kjo mospërputhje tregon qartë se në qitjen vdekjeprurëse, viktima nuk duhet të ketë qenë në pozicion shtrirë, por e ngritur ose ndenjur. Për këtë dëshmon edhe prania e përhapur e gjakut në trajtë njollash, në pjesën e poshtme të teshave, poshtë vrimave të predhës, që duket qartë në foton përkatëse në dosjen e hetuesisë.

Në fakt, me të dhënat e disponuara, vendi ku u gjet predha, këndi i qitjes në bazë të drejtimit të pjerrët të kalimit të predhës në trup, nga sipër poshtë, lartësitë e vrimave të hyrjes dhe daljes në trupin e viktimës, duhej të ishte kryer patjetër një eksperiment hetimor në atë kohë, për rindërtimin e plotë të ngjarjes

Një eksperiment i tillë, siҫ është vepruar gjithmonë në raste të tjera të ngjarjeve të ngjashme me armë zjarri, do të ishte shumë i dobishëm për një përcaktim sa më të saktë të pozicionit të viktimës kur është qëlluar dhe rrjedhimisht të zbulimit të plotë të të gjitha elementëve të kësaj ngjarjeje.

Në fakt u lejua vetëm një eksperiment për të vërtetuar nëse duhej të ishte dëgjuar ose jo krisma e armës nga njerëzit që flinin në dhomat e tjera të banesës, që është e qartë që në dobi të hetimit nuk do kishte ndonjë vlerë të veçantë. Përveҫ këtyre ka dhe shumë elemente të tjera kontradiktore, apo të pavërtetura që e vënë në dyshim vetëvrasjen.

Ja disa prej tyre:

1 – Në dy dokumentet përfundimtare të dosjes hetimore të këtij rasti, shkruhet se; “viktima e ka kryer vetëvrasjen me dorën e djathtë, pohim ky që përforcohet edhe nga përcaktimi se drejtimi i qitjes ka qenë lehtësisht nga e djathta në të majtë”. Por kjo nuk është e saktë, sepse ekspertët mjeko-ligjorë në përshkrimin që i kanë bërë kufomës, sipas dosjes hetimore, pozicionin e vrimës së hyrjes në anën e majtë të përparme të gjoksit, e kanë përcaktuar më majtas vijës së mesit, në krahasim me atë të vrimës së daljes së predhës, që ndodhej edhe ai në anën e majtë të shpinës, por më afër vijës së mesit.

Pra, kjo tregon që drejtimi i qitjes në trupin e viktimës, ka qenë lehtësisht nga e majta në të djathtë dhe jo nga e djathta në të majtë, siҫ shkruhet në dokumentet hetimore. Kjo e ve në pikëpyetje versionin zyrtar, që viktima ta ketë mbajtur armën me dorën e djathtë!

2 – Kryerja e vetëvrasjes me dorën e djathtë, sipas dosjes hetimore përforcohet edhe nga prania në thoin e gishtit të madh të viktimës, të gjurmëve të veprimit të copërave të barutit. Por ky konstatim nuk rezulton që të jetë vërtetuar, me një analizë të thjeshtë laboratorike. Aq më tepër që në proces-verbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët mjeko-ligjorë kanë përshkruar te kufoma vetëm njolla blu të errët, që nuk fshihen.

Pra ato mund të kenë qenë edhe njolla boje shkrimi, sepse natën para se të gjendej i vdekur, kryeministri kishte përgatitur me shkrim autokritkën që do bënte të nesërmen në mbledhjen e Byrosë Politike, ku gjatë shkrimit, duhet të ketë njollosur me bojë, thoin e gishtit të madh të dorës së djathtë.

3 – E njëjta gjë mund të thuhet edhe për gjurmën e gishtit në pistoletë, për të cilën në dosjen hetimore shkruhet vetëm që ka qenë e të njëjtit lloj, me shenjën e gishtit të madh të dorës së majtë të viktimës. Me vetëm kaq pak, vlera provuese e këtij krahasimi, është krejt e pamjaftueshme, pa u kryer krahasimi i shenjave të shumta individuale të gjurmëve papilare, siҫ e kërkon një ekspertim i mirëfilltë daktiloskopik.

Ka edhe shumë konstatime të tjera të këtij karakteri, të cilat janë përshkruar më hollësisht në artikullin e mëparshëm, përfshirë në librin e sipërcituar. Të gjitha këto më përforcojnë bindjen, që vdekja e Mehmet Shehut ka qenë vrasje.

Përpara se të publikoja artikullin e parë të kësaj ngjarjeje të rëndë, unë u takova me Skënderin, djalin e dytë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Kam pasur njohje me të që në kohën e rinisë, në fillimin e viteve 1970.

I tregova dhe i dhashë dorëshkrimin e artikullit, për vdekjen e të atit. Ai e mori atë për ta parë me hollësi dhe pas disa ditëve, pasi e kishte konsultuar edhe me Bashkimin, (vëllain e vogël), ma ktheu duke më lejuar që ta botoj atë.

Gjatë takimit, unë e pyeta edhe për letrën e lamtumirës të Mehmet Shehut, të shpallur 20 vite pas vdekjes së tij, nëse ai e kishte parë atë dhe më tha se e kishte lexuar në Arkivin e Shtetit, jo origjinalen, por një fotokopje të saj.

Shpesh për artikullin e parë të vdekjes së Mehmet Shehut, kam diskutuar me njerëz të ndryshëm, të cilët më kanë shprehur opinionet e tyre, ku argumentet që kisha dhënë ishin shumë bindëse, por që sipas tyre, problemi ishte të gjendej vrasësi.

Për këtë, u kam shpjeguar se mjekësia ligjore dhe shkencat e tjera forense, kanë si detyrë të ndihmojnë në përcaktimin vetëm formën mjeko-ligjore të ngjarjes, siҫ është në këtë rast, ku ajo është shpallur zyrtarisht: vetëvrasje.

Me analizën që i kam bërë materialeve të kësaj dosje, kam argumentuar dhe kam arritur në përfundimin se kemi të bëjmë më një vrasje dhe jo vetëvrasje. Ju kam thënë se detyra për ta ri hetuar përsëri këtë rast, me qëllim që të zbulohet autori i drejtpërdrejtë i kësaj vrasjeje, u takonte organeve përkatëse të drejtësisë. Gjithsesi, edhe sikur të ndodhë që dosja të rihapet, zbulimi vrasësit (vrasësve), do të jetë shumë i vështirë, por jo i pamundur.

Regjimi komunist bëri përpjekje të shumta për ta fshehur zbulimin e vërtetë të kësaj ngjarjeje, si p.sh.; presionet ndaj atyre që kryen hetimet dhe ekspertimet për ta paraqitur me ҫdo kusht këtë rast si vetëvrasje, moslejimi i kryerjes së autopsisë, disa varrime dhe zhvarrime të përsëritura të kufomës së Mehmet Shehut, me qëllim që të mos mbetej asnjë gjurmë e saj, dalja 20 vite pas vdekjes e një letre lamtumire të Mehmet Shehut, që nuk figuron në asnjë nga dokumentet përmbyllëse të hetimit të kësaj ҫështjeje dhe shumë të dhëna të tjera.

Të gjitha këto i kanë vështirësuar zbulimin e mekanizmave të sakta të kësaj ngjarjeje dhe autorëve të drejtpërdrejtë që e kanë kryer atë, pavarësisht se diktatori dhe rrethi i tij, e kishin vendosur përfundimisht eliminimin e Mehmet Shehut.

Për këtë arsye dhe për atë pjesë të opinionit publik, që ende është i paqartë për ngjarjen e bujshme që ka ndodhur në Tiranë në 17 dhjetor 1981, po e risjell edhe një herë në vëmendje, me shpjegime sa më të thjeshta dhe më të kuptueshme./ Memorie.al