Ballina Opinion Gara për Tiranën, mazhoranca dhe opozita, dy anë të së njëjtës monedhë

Gara për Tiranën, mazhoranca dhe opozita, dy anë të së njëjtës monedhë

34
0

Nga Mirela Karabina 

Mazhoranca në pushtet dhe opozita PD janë në një krizë të thellë legjitimiteti dhe morali.
Në një kohë kur qytetarët kërkojnë transparencë, llogaridhënie e drejtësi, qeverisja dominohet nga korrupsioni dhe lidhje me krimin e organizuar, ndërsa opozita, PD si forca kryesore, është e gjunjëzuar pa bosht ideologjik dhe pa ofertë reale.

Hetimet e SPAK dhe raporte ndërkombëtare (DASH) kanë vërtetuar një qeverisje të zhytur në korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash dhe lidhje me grupe të strukturuara kriminale.

“Problemet e përsëritura: korrupsioni në sektorin publik, gjyqësor i kapur, konkurrencë e padrejtë, ekonomi informale, pastrim parash, mungesë e sigurisë pronësore dhe zbatim i dobët i kontratave” (DASH 2025), kjo është panorama e një qeverie që nuk ka më as moral, as kredibilitet për të qeverisur.

Por përballë kësaj qeverie kemi një PD në gjendjen më të rëndë të ndodhur ndonjëherë në këto 35 vjet.

Mungesa e kandidatit për Tiranën nga PD është dëshmi e paaftësisë për të ofruar një alternativë të fortë politike që të mundë mazhorancën.

Demokratët ndihen të braktisur kur shohin forcën e tyre që jo vetëm nuk e rrëzoi Ramën në 11 maj, por dhe në një garë për Tiranën ajo është apatike, nuk frymëzon dhe nuk ka guxim për të mbajtur një ballafaqim politik real.

Megjithëse numëron çdo ditë protestat për shkarkimin e Erion Veliaj, PD nuk ka një figurë politike të marrë përsipër garën por “zvarritet” dhe shtyn ditët me komisione pa vlerë, ndërkohë që PS ka filluar fushatën.

Dhe për më tepër, nga kampi tjetër ka përballë një kandidate ndër më të dobtat figurë politike të PS-së, por që mbështetet nga Rama dhe partia.

Figura e Ogerta Manastirliut si kandidate për Bashkinë Tiranë është emblemë e këtij sistemi, se si dështimi promovohet dhe shembull i qartë i modelit të klientelizmit politik.

Nën hetim nga SPAK, Manasterliu ka dëshmuar para oganeve të drejtësisë që si drejtuese spitali urdhërohej nga eprorët (Sterilizimi).

Si ministre e Shëndetësisë la në mëshirë të sëmundjes vrastare dhe pa mjekim pacientët e onkologjikut ndërkohë që po hetohet dhe për Laboratorët.
Si ministre e Arsimit dhe drejtuese politike për Tiranën la pa shkollë, kopshte e çerdhe 70 mijë banorë të Astir.

Çfarë i kërkon sot banorëve të Tiranës një kandidate e tillë?!

Dhe këtë lloj kandidate që duhet të ishte duke ndjekur problemet me drejtësinë, PD nuk është në gjendje ta sfidojë, një test që nuk po e kalon dot!

Kriza politike morale që ka mbëthyer mazhorancë dhe PD është arsyeja e pengimit të ndryshimit të pushtetit dhe zhvillimit demokratik të vendit.

Pazaret e tyre në kurrriz të shqiptarëve janë të hapura, amnistia penale, kodi zgjedhor, kalimi i programit qeverisës pa debat, kalimi
i funksionarëve të lartë politikë të PD e LSI në qeverinë e Ramës,
dëshmojnë kalbëzimin e një klase në agoni.

Halli i tyre personal është i madh, SPAK dhe BKH nuk po ndalet duke çuar para drejtësisë politikanë të fuqishëm, ndaj pengimi i drejtësisë dhe ndalimi i zhvillimit demokratik të vendit janë “kubani” që po mundohet kjo klasë e korruptuar politike të bëj.

Por nuk do ta arrij dot!

Shqipëria sot ka një qeveri të korruptuar dhe një opozitë të pafuqishme. Një sistem politik që ka humbur besimin e qytetarëve dhe nuk arrin të prodhojë as vizion, as drejtësi, as shpresë.

Kush do të marrë guximin të thyejë këtë status quo?

Drejtësia nga njëra anë dhe qytetarët, kur të shohin shpresë do ta përmbysin këtë malinjë politikë që po na mban peng.