Ballina Kronika Mister në Fushë-Arrëz, 22-vjeçari i zhdukur prej dy javësh ende pa gjurmë

Mister në Fushë-Arrëz, 22-vjeçari i zhdukur prej dy javësh ende pa gjurmë

33
0

Kanë kaluar më shumë se dy javë nga zhdukja e Enkrist Kolës, 22-vjeçarit nga Fushë-Arrëzi, i cili humbi kontaktet me familjen që më 13 shtator. Pavarësisht kërkimeve të vazhdueshme të policisë dhe të afërmve, ai mbetet i pagjetur.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar lëvizjet e tij në qytet pak para se të humbiste gjurmët. Vëllai i tij, Denis Kola, ka treguar se atë mëngjes, Enkristi i kishte thënë babait se do të takohej me një burrë të panjohur, por që nga ai moment nuk është kthyer më në shtëpi.

“Kur dola për punë, më tha babai që vëllai kishte dalë. U përpoqa ta kërkoja në qytet, por nuk e gjeta. Kishte marrë me vete telefonin e babait, por nuk iu përgjigj kurrë thirrjeve tona”, rrëfen Denis Kola.

Pas 48 orësh pa asnjë lajm, familja bëri denoncim në polici. Sipas tij, e vetmja mundësi për të zbardhur zhdukjen është gjurmimi i qelizave telefonike, por telefoni i 22-vjeçarit ka qenë i fikur. Deri më tani, institucionet nuk kanë ofruar asnjë informacion mbi fatin e tij.

Në pritje të një lajmi, familja e Enkrist Kolës shpreson që ai të kthehet i shëndoshë në shtëpi dhe u bën apel autoriteteve që të intensifikojnë kërkimet.