Dy shtetas shqiptarë, të dënuar nga drejtësia italiane për vepra të rënda penale, janë arrestuar në Shkodër dhe Vorë gjatë dy fazave të tjera të operacionit policor të koduar “Fast”.
Në Shkodër, Forca e Posaçme Operacionale ka arrestuar Aldo Doçajn, alias Vuksan Daçaj, 45 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma.
Sipas Policisë, Gjykata e Apelit e Romës e ka dënuar 45-vjeçarin me 7 vjet e 11 muaj burg për grabitje me dhunë në bashkëpunim, tentativë vjedhjeje me thyerje, kundërshtim të punonjësve publikë, si dhe dhunë ose kanosje ndaj tyre.
Nga dënimi i dhënë nga autoritetet italiane, Doçajt i kanë mbetur për të vuajtur edhe 5 vjet, 4 muaj e 2 ditë burgim.
Ndërkohë, në Vorë është arrestuar Bukurosh Kuçi, 49 vjeç, i kërkuar nga drejtësia italiane për veprat penale “Torturë” dhe “Skllavëri”.
Gjykata e Apelit e Barit e ka dënuar Kuçin me 4 vjet burg, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 3 vjet, 11 muaj e 3 ditë.
Operacioni është zhvilluar nga Forca e Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me drejtoritë vendore të Policisë në Shkodër dhe Tiranë, pas shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.
Të dy personat janë arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ndërsa Interpol Tirana po vijon procedurat në bashkëpunim me autoritetet italiane për dorëzimin e tyre.







