Ballina Rajoni Igor Dodik mandatohet për formimin e Qeverisë së re të Republikës Sërpska

Igor Dodik mandatohet për formimin e Qeverisë së re të Republikës Sërpska

8
0

Presidenti i Republikës Sërpska, Savo Miniq, e ka mandatuar të dielën Igor Dodikun për formimin e qeverisë së re të këtij entiteti serb të Bosnje e Hercegovinës.

Igor Dodik është djali i Millorad Dodikut, kryetarit të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD).

Në një deklaratë për media, Igor Dodik tha se është “i vetëdijshëm se do të duhet ta dëshmojë se e meriton besimin”.

Ai vuri në plan të parë zhvillimin ekonomik dhe transparencën në punën e institucioneve.

“Do të punojmë në mënyrë transparente. Është e domosdoshme të rritet angazhimi në institucionet publike. Duhet të dihet se si shpenzohen paratë. Do të kërkoj menaxhim të përgjegjshëm dhe për lëshime do të duhet të mbahet përgjegjësi”, tha ai.

Duke folur për Bashkimin Evropian, ai tha se qëndrimi i tij ndaj BE-së do të varet nga shkalla e respektit që ky i fundit do të tregojë ndaj tyre.

Ai përmendi edhe marrëdhëniet me pushtetin e ri në Serbi.

“Bashkëpunimi me Serbinë mike do të ketë një vend të veçantë në punën tonë të mëtejshme. Dëshiroj t’i vazhdojmë projektet e përbashkëta”, tha Dodik.

Ai theksoi se do të ketë “shumë sfida në planin e brendshëm dhe të jashtëm”, ndërsa shtoi se “paragjykimet nuk i interesojnë”.

Igor Dodik ushtron funksionin e sekretarit organizativ të SNSD-së.

Në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti, të mbajtura në fillim të tetorit, ai ishte bartës i listës së kësaj partie për Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska.

Mandatarin e propozoi Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, partia që fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e përgjithshme në Bosnje e Hercegovinë, në fillim të tetorit.

Para shpalljes së emrit të mandatarit, Miniq zhvilloi konsultime me SNSD-në, ndërsa dy ditë më parë ishte takuar edhe me partitë opozitare.