Përfundon sot zyrtarisht masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila që nga data 5 shtator ka pezulluar të gjitha veprimet dhe vendimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë edhe procedurat për formimin e Qeverisë.
Kjo masë ishte ndërmarrë pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe, e cila kontestoi mënyrën e zhvillimit të seancës konstituive të Kuvendit, veçanërisht për faktin që Kuvendi u shpall i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Lista Serbe e cilësoi këtë si shkelje të procedurave kushtetuese, ndërsa kreu i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli konstituimin e Kuvendit si të plotë, pavarësisht mungesës së votimit për përfaqësuesin serb në kryesi.
Megjithatë, me afatin që po shkon drejt përfundimit, mbetet e paqartë se cilat do të jenë hapat pasues nga institucionet vendore.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje konkrete se si do të veprohet pas datës 30 shtator. I pyetur më 16 shtator, ai u mjaftua duke përsëritur qëndrimin se Kuvendi është tashmë i konstituuar.
Ndërkohë, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, më 9 shtator deklaroi se sapo të skadojë masa e përkohshme, ajo do të ndërmarrë hapin për të ftuar partinë fituese të zgjedhjeve për caktimin e te mandatuarit për formimin e qeverisë.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka qenë shumë kritik ndaj këtij vendimi të Kushtetueses. Ai e ka konsideruar masën si një ndërhyrje të panevojshme që, sipas tij, i ka bllokuar për 25 ditë të gjithë 120 deputetët e Kuvendit, duke i detyruar të “vegjetojnë”.
Megjithatë, vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese për rastin në fjalë ende nuk është bërë publik, ndaj pasiguria mbetet.
Nëse Kushtetuesja do të vendosë që Kuvendi nuk ishte konstituuar në përputhje me Kushtetutën, atëherë do të kërkohen hapa të rinj proceduralë që mund ta shtyjnë edhe më tej formimin e qeverisë së re.