Ballina Aktualitet IUCN: Shqipëria të amendojë ligjin që cenon zonat e mbrojtura

IUCN: Shqipëria të amendojë ligjin që cenon zonat e mbrojtura

25
0

Një nga rezultatet kryesore të këtij vendimi është thirrja drejtuar qeverisë shqiptare për të ndryshuar Ligjin Nr. 21/2024, i cili shfuqizoi mbrojtjen afatgjatë për ekosistemet më të ndjeshme të vendit. Kongresi i IUCN i bëri thirrje Shqipërisë të rivendosë mbrojtjen kundër ndërtimit të aeroporteve, resorteve luksoze dhe projekteve të tjera të mëdha infrastrukturore në zonat e Kategorisë I & II të IUCN.

Shqipëria në qendër të vëmendjes ndërkombëtare

Qeveria Shqiptare e promovoi ndryshimin ligjor të vitit 2024 si “në përputhje me kriteret e IUCN”, por në realitet është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të ruajtjes së natyrës. Ligji lejon tashmë ndërtimin e aeroporteve, centraleve energjetike dhe komplekseve të mëdha turistike edhe brenda zonave të Kategorisë I & II të IUCN, si dhe ndryshimin e kufijve për t’iu përshtatur këtyre projekteve. Ky ndryshim shqetësues ligjor minon mbrojtjen e biodiversitetit, angazhimet për anëtarësimin në BE dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike, duke vendosur një precedent të rrezikshëm që mund të nxisë të njëjtën mënyrë edhe në vende të tjera.

Peizazhi i Mbrojtur Vjosë–Nartë ilustron qartë se çfarë vihet në rrezik. Dikur strehë për mbi 200 lloje shpendësh, përfshirë pelikanin kaçurrel dhe flamingot, kjo zonë tashmë përballet me kërcënimin e ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe një kompleksi turistik prej 10,000 dhomash. Në vend që të forcoheshin, mbrojtjet janë shfuqizuar për t’i shërbyer interesave afatshkurtra të zhvillimit.

Ajo që nisi si një reagim lokal ndaj Ligjit Nr. 21/2024 në Shqipëri, sot është shndërruar në një moment historik për ruajtjen e natyrës në nivel ndërkombëtar.

Pse ky Mocion ka rëndësi globale?

Zonat e Mbrojtura kudo në botë po përballen me presion gjithnjë e më të lart. Për dekada ato kanë garantuar mbrojtjen e biodiversitetit dhe qëndrueshmërinë klimatike. Megjithatë, në shumë vende, hapsirat ligjore po shfrytëzohen për të lejuar ndërtimin me justifikimin e “zhvillimit turistik”.

Mocioni 130 i përgjigjet kësaj sfide globale:

Duke rikonfirmuar se Zonat e Mbrojtura janë për ruajtje, jo për zhvillim masiv;
Duke siguruar që Kategoria I (Rezervate Strikte Natyrore) dhe II (Parqe Kombëtare) të mbeten të paprekura nga aeroportet, resortet dhe infrastrukturat e tjera të rënda;
Duke kërkuar që legjislacionet kombëtare të harmonizohen me udhëzimet e IUCN;
Duke vendosur detyrimin për vlerësime rigoroze të ndikimit mjedisor dhe social përpara shqyrtimit të çdo projekti;
Duke kërkuar tregues të standardizuar për monitorimin dhe zbatimin e mbrojtjes ligjore, me të dhëna të aksesueshme publikisht.
Një thirrje globale për veprim
Nga ligatinat bregdetare të Shqipërisë deri te Zonat e Mbrojtura në mbarë botën, mesazhi është i qartë: turizmi nuk mund të jetë justifikim për të shkatërruar natyrën.

“Megjithëse miratimi i Mocionit 130 është një sukses, puna nuk ka përfunduar. Shqipëria mund të vazhdojë të shtyjë përpara projekte shkatërruese në Parqet Kombëtare, duke shpërfillur kërkesat e anëtarësimit në BE dhe qëndrimin global të IUCN. Vigjilenca e vazhdueshme mbetet thelbësore.

Mocioni 130 është një kujtesë e fortë: zonat e mbrojtura nuk janë zona zhvillimi, por janë strehë për natyrën, për njerëzit dhe për gjeneratat që do të vijnë”, shkruan në njoftim Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).