Ylli Manjani ka reaguar pas dekretit të presidentit Bajram Begaj, që zgjodhi datën 9 nëntor për zgjedhjet në 6 bashki, mes të cilave edhe atë për Tiranën, edhe pse çështja për këtë të fundit është në Kushtetuese.
Manjani thotë se nëse këtë dekret do e kishte nxjerrë Ilir Meta kur ishte president, do ishte ngritur direkt komision për shkarkimin e tij.
“Nejse, ndoshta nuk vlen më asnjë sekond i harxhuar për të sqaruar Kushtetutën e vendit. Në fakt e kemi stër-sqaruar nenin 115 të saj në çdo okazion publik.
Vetë Gjykata Kushtetuese në qëndrim publik dje ka thënë se “…vendimi i qeverisë është automatikiaht i pezulluar”.
Por nëse dekretin e sotëm do ta kishte nxjerrë Ilir Meta do ishte ngritur direkt komision hetimor dhe, do ishin çelur proçedurat për shkarkim. Besoj e kujtoni hetuesinë e Ulsiut në krye të komisionit kundër Metës.
Një gjë dua ta them qartë:
E kuptoj plotësisht nevojën politike të një Kryeministri apo të një partie që qeveris për të bërë zgjedhje blic.
Është padyshim në të drejtën e tyre politike të kërkojnë e gjejnë zgjidhje. Ashtu siç edhe PD e Bashës ishte në të drejtën e vet të kërkonte shtyrje zgjedhjeve vendore të 2019-s. Unë vetë jam në favor të zgjedhjeve.
Por nuk kuptoj fare, po fare fare as Metën dje, kur lëshoi dekret për anulimin e zgjedhjeve e as Begajn sot që dekreton zgjedhje pa vend vakant.
Që të dy kanë dhunuar kushtetutën e shkruar!
Presidenti i Republikës është shtet, jo pushteti”, shprehet Manjani.