Nga Flavio Qarri
Zgjedhjet e Tiranës kanë hyrë në fazën më të ethshme. Atë të përzgjedhjes së kandidatit. Për mazhorancën është një formalitet makabër. KQZ e shpartalluar. 11 maji është plagë e shqyer dhe as dezinfektues nuk i kanë hedhur. Sigurisht vullneti i gjysmës së qytetit do jetë sërish i papërfaqësuar. Fjala vjen një pjesë e ish komunave do të administrohen nga ndonjë debil i emëruar aty po aq pa vend sa Koçi në fshat te Teto Ollga. Këto janë zgjedhje për një mandat të pjesshëm. Askush nuk ka kohë për të bërë gjëra. Lejet i firmos Kryeministri, projektet po ashtu. Makineria e propagandës e Veliajt tani është shpërndarë. Manastirliu vjen pas viteve me shërbim besnik ndaj Ramës dhe me rekorde të zeza ndaj qytetarëve. Por ata duken të fortë për shkak të skemës së manipulimit elektoral.
Me kë shkon opozita në këto zgjedhje.
Deri tani duket se u janë dorëzuar presioneve për kandidat apolitik dhe problemeve brenda radhëve të pd. Në fakt hapja drejt elementëve apolitikë duhej të ishte bërë shumë para 11 Majit por ustallarët e partive kanë talent të izolojnë kryetarin dhe të largojnë të pangjashmit, qytetarët e ata që mund të mendojnë ndryshe. Por këtë e dinim. Ajo që ka shpresë është fakti se Tirana mendon gjithmonë ndryshe. Çështja në këto zgjedhje është fakti se qyteti dhe atdheu (se Tirana përbëhet nga atdheu), mund të hakmerret.
Nuk na duhet një hero
Kandidati që do marrë mbështetjen e opozitës ka vetëm një premtim për të bërë e një mishërim për të përfaqësuar. Qytetin që i jep një shpullë diktatorit. Një leksion demokracie. Një vit e gjysmë iluzioni lirie. Nuk na duhet asnjë premtim nga askush. Shërbime bazike do menaxhojë. Do lërë ca këngëtare e gazetarë pa rrogat po kaq. Asgjë më shumë. Tiranën e fiton ai që na ofron që qoftë për çerek mandati, ne, qytetarët e zakonshëm e të vegjël të këtij vendi, ja thyem turinjtë narkodiktatorit! Mjafton të jetë njëri normal, i provuar si i vërtetë. Por i provuar si kundërshtar organik edhe pa qënë nevoja të nxjerrë shpatën me shkëlqim opozitare. Kalkulimet e tjera nuk na sjellin një fitues. Kam bindjen se edhe socialistët janë të trembur nga Rama 4. Por të mos harrojmë shumësinë e madhe të njerëzve të zakonshëm të këtij qyteti që nuk kanë afilime politike por duan të jetojnë në një vend pak më të lirë apo qoftë edhe pak më cool se me komunizëm sikur u teprua.







