Ballina Politika PD shkarkon Veliajn me votat e veta, pastaj çuditet pse ka zgjedhje...

PD shkarkon Veliajn me votat e veta, pastaj çuditet pse ka zgjedhje të reja në Tiranë

0
30

Duke ardhur rrotull në mënyrë qesharake PD ende nuk e ka kuptuar se është shumë vonë për zgjedhjet e dekretuara në datën 9 nëntor në Tiranë.

Pasi bëri dhjetëra protesta për të larguar Erion Velinë nga detyra dhe nuk ja dolën dot as me bori makinash dhe djegie gomash, fati i ndriti dhe Veliaj u shkarkua me vendim të këshillit bashkiak dhe firmën e Edi Ramës. Ishin vetë këshilltarët e PD në këshill që bashkuan triumfalisht votat me socialistët dhe groposën mandatin e Veliajt si kryebashkiak. Pas kësaj sot presidenti dekretoi datën e zgjedhjeve të pritshme për një vakancë që vetë PD e votoi një javë më parë. Por këtë herë Gazment Bardhi është kundër dhe sheh një komplot Rama-Begaj kundër kushtetutës. Tani pa qenë juristë të zotë pyetja logjike që lind është: e dinte PD që shkarkimi i Veliajt në këshillin bashkiak ishte me probleme ligjore? Dhe nëse e dinte pse e votoi? Sepse pas votimit dhe shkarkimit asnjë mendje normale nuk mendon se vendi do të rrijë bosh. Zgjedhjet janë proces i pashmangshëm kur ti voton për largimin e kryetarit të bashkisë. Apo ndoshta PD mendon se presidenti do priste sa të gjente treshja Noga, Alimehmeti dhe Këlliçi kandidatin fitues?

Që PD e ka humbur busullën politike dhe sillet si garnizon ushtarak nën urdhrat e Berishës nuk është më surprizë. Por të paktën dikush duhet të vërë në punë logjikën dhe të mendojë se kur voton për largimin e Veliajt automatikisht ke votuar për zgjedhje të reja në Tiranë. Dhe më shumë se të merresh me cic-mice ligjesh duhet të kërkosh e të gjesh një kandidat. Ose të presësh sa të kthehet doktori nga jashtë shtetit e të thotë kë ka caktuar. Kjo do shkarkonte nga përgjegjësia dhe lodhja edhe treshen negociatore që ende s’e ka kuptuar se Sali Berisha e ka gjetur emrin dhe thjesht po bën lojën e zakonshme të demokracisë së brendshme në PD.