Ballina Ekonomia Paradoksi/ Prodhimi bujqësor shënon ulje, importet e pesticideve pësojnë rritje

Paradoksi/ Prodhimi bujqësor shënon ulje, importet e pesticideve pësojnë rritje

32
0

Me gjithë rënien e prodhimit bujqësor, importet e pesticideve po vijnë në rritje vit pas viti. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në vitin 2023, importi i pesticideve shënoi 1,480 tonë, me rritje vjetore prej 6.8%.

Përdorimi i pesticideve në vend ka pësuar luhatje të forta gjatë periudhës 2010–2023, duke arritur kulmin në vitin 2020, kur importet e tyre kaluan 2,000 tonë. Në vitin 2010, sipas të dhënave të INSTAT, ishin importuar 1,356 tonë.

Në të kundërt, nga 2020 në 2023 është përgjysmuar importi i insekticideve, të cilat konsiderohen më të rrezikshmet, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin nervor dhe lidhen me helmime akute dhe probleme afatgjata neurologjike. Edhe pse përdorimi i tyre ka rënë ndjeshëm gjatë dekadës, u regjistruan 407 tonë të importuara në vitin 2023, dhe ekspozimi ndaj tyre vijon të jetë një kërcënim serioz.

Në vitin 2023 u importuan 298 tonë fungicide, me rritje vjetore 3.5%. Importi i tyre arriti kulmin në vitin 2021 me mbi 690 tonë. Edhe pse përdoren për të frenuar sëmundjet mykotike të bimëve, shumë prej tyre lidhen me rreziqe për shëndetin e njeriut, përfshirë çrregullime hormonale dhe efekt kancerogjen në rast ekspozimi të vazhdueshëm.

Në vitin 2023, përdorimi i tyre ra në 299 mijë njësi, por mbetet më i lartë se një dekadë më parë. Herbicidet, të përdorura kundër barërave të këqija, kanë shënuar një rritje të dukshme, duke kaluar nga 35 tonë në vitin 2010 në mbi 408 tonë në vitin 2023.

Ndërkohë që konsiderohen më pak toksike aktualisht sesa insekticidet, përbërës si glifosati janë përfshirë në debate shkencore për lidhjet e mundshme me kancerin dhe efektet afatgjata në shëndetin e njeriut.

Ndërsa dezinfektantët, të përdorur në sipërfaqe dhe ambiente, mbeten në nivele më të ulëta, me përdorim të paqëndrueshëm gjatë viteve. Edhe pse më pak të rrezikshëm në dozime të kontrolluara, ata mund të shkaktojnë irritime të lëkurës dhe probleme respiratore.

Të dhënat tregojnë se bujqësia vendase po zhvendoset drejt një përdorimi më të madh të herbicideve dhe fungicideve, ndërkohë që insekticidet, edhe pse me rënie të importeve, ende përdoren në masë që krijon pasoja serioze për shëndetin publik dhe mjedisin.

Nga grupet e publikuara nga INSTAT (insekticide, fungicide, herbicide, dezinfektantë), insekticidet konsiderohen përgjithësisht më të dëmshme për shëndetin e njeriut, pasi mund të shkaktojnë helmime akute edhe me doza të vogla.

Fungicidet zakonisht kanë toksicitet më të ulët akut, por disa kanë efekte kancerogjene ose endokrine në përdorim afatgjatë. Herbicidet, në përgjithësi, janë më pak toksike sesa insekticidet./MONITOR