Rritja e çmimeve në Shqipëri u përshpejtua gjatë korrikut, duke e çuar inflacionin mbi mesataren e Bashkimit Europian. Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, inflacioni vjetor arriti në 3.4%, nga 3.2% në qershor, ndërsa mesatarja e BE-së u regjistrua në 3%.
Me këtë nivel, Shqipëria rezulton 0.4 pikë përqindje mbi mesataren europiane dhe renditet mbi disa prej ekonomive më të mëdha të kontinentit. Gjermania regjistroi inflacion prej 2.8%, Italia 2.9% dhe Franca 2.4%. Spanja, nga ana tjetër, kishte një normë më të lartë se Shqipëria, me 3.9%.
Rritja më e fortë e çmimeve u regjistrua në Rumani, me 8.2%, e ndjekur nga Kosova me 6.5%, Islanda me 5.6%, Lituania me 5.4% dhe Gjeorgjia me 5.2%. Nivele relativisht të larta u shënuan edhe në Bullgari dhe Qipro, ku inflacioni ishte 4.4%.
Në skajin tjetër të renditjes, presionet mbi çmimet mbeten shumë më të ulëta. Suedia regjistroi inflacion prej vetëm 0.3%, Zvicra 0.7% dhe Çekia 1.3%, ndërsa në Danimarkë dhe Hungari norma ishte 1.6%.
Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria kishte inflacion më të ulët se Kosova, Mali i Zi me 3.9% dhe Kroacia me 3.6%, por më të lartë se Maqedonia e Veriut me 2.4% dhe Serbia me 2.2%. Edhe Greqia, me një normë prej 2.7%, rezultoi poshtë nivelit të Shqipërisë.
Të dhënat e korrikut tregojnë se rritja e çmimeve në Shqipëri vijon të mbetet më e fortë se mesatarja e Bashkimit Europian, ndonëse diferenca është e kufizuar. Në të njëjtën kohë, hendeku mes vendeve europiane mbetet i madh, me norma që variojnë nga 0.3% në Suedi deri në 8.2% në Rumani.







