Rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit për katërmujorin e parë të vitit 2026 po shitet nga qeveria si tregues i suksesit ekonomik, por shifrat tregojnë një realitet tjetër: ekonomia shqiptare po mbahet gjithnjë e më shumë nga ndërtimi masiv, një sektor joprodhues që prej vitesh shoqërohet edhe me dyshime për pastrim parash.
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave, të ardhurat totale për periudhën janar-prill arritën në 275.7 miliardë lekë, ose 28.8 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Por pothuajse gjysma e kësaj rritjeje nuk ka ardhur nga prodhimi, eksportet apo rritja e konsumit, por nga taksat që lidhen me bum-in e ndërtimeve.
Vetëm të ardhurat nga pushteti vendor, të lidhura kryesisht me taksën e ndikimit në infrastrukturë për lejet e ndërtimit, u rritën me 118%, duke sjellë 14.2 miliardë lekë shtesë në arkën e shtetit. Kjo do të thotë se rreth 50% e gjithë rritjes së të ardhurave buxhetore ka ardhur nga sektori i ndërtimit.
Shifrat tregojnë qartë deformimin e modelit ekonomik. Ndërsa ndërtimi dhe kullat shumëkatëshe po kthehen në burimin kryesor të të ardhurave, ekonomia reale po jep sinjale ngadalësimi. Tatimet dhe doganat sollën vetëm 7.7 miliardë lekë më shumë, ndërsa fondet speciale nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore reflektuan një ritëm më të ulët të rritjes së pagave krahasuar me një vit më parë.
Nëse hiqet efekti i ndërtimeve, të ardhurat tatimore do të rriteshin me vetëm 6.1%, praktikisht pranë zeros në terma realë, duke marrë parasysh inflacionin dhe parashikimin për rritjen ekonomike.
Ndërkohë, vendi po përjeton një shpërthim lejesh ndërtimi, sidomos në bregdet dhe në Tiranë. Vetëm në mbledhjet e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit janë shqyrtuar qindra projekte për kulla, resorte dhe komplekse rezidenciale nga Vlora, Palasa e Himara deri në Shëngjin, Velipojë dhe Golem.
Në shumë raste bëhet fjalë për ndërtime gjigante me 24, 27, 33 apo deri në 45 kate, në një treg ku fuqia blerëse e qytetarëve mbetet e dobët dhe ku kërkesa reale nuk justifikon ritmet marramendëse të betonizimit.
Ekspertët kanë ngritur prej kohësh pikëpyetje mbi burimin e kapitalit që ushqen këtë bum ndërtimesh. Shqipëria vijon të ketë ekonomi informale të lartë dhe sektorin e ndërtimit si një nga kanalet më të dyshuara për futjen e parave me origjinë të paqartë në ekonomi.
Fakti që buxheti po mbështetet gjithnjë e më shumë te kullat dhe lejet e ndërtimit krijon një varësi të rrezikshme për ekonominë. Një model i tillë nuk prodhon industri, nuk rrit eksportet dhe nuk krijon zhvillim të qëndrueshëm, por ushqen një ekonomi spekulative të përqendruar te betoni dhe pasuritë e paluajtshme.
Edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme ka sjellë arkëtime shtesë në buxhet. Nga mbi 9 mijë aplikime për rivlerësim gjatë periudhës shkurt-prill, shteti ka arkëtuar rreth 1.6 miliardë lekë.
Në thelb, shifrat tregojnë se qeveria po përfiton financiarisht nga ethet e ndërtimeve, ndërsa ekonomia prodhuese mbetet e dobët. Dhe sa më shumë që buxheti të lidhet me betonin, aq më i madh bëhet rreziku që ekonomia shqiptare të mbetet peng i një modeli të paqëndrueshëm dhe nën hijen e dyshimeve për pastrim parash-,shkruan revista Monitor.







