Ballina Europë Gjermania thyen rekord, mbi 309 mijë persona marrin pasaportën në një vit...

Gjermania thyen rekord, mbi 309 mijë persona marrin pasaportën në një vit pas ndryshimeve në ligj

64
0

Gjermania ka shënuar rekord të ri në dhënien e shtetësisë. Vetëm gjatë vitit 2025, mbi 309 mijë persona kanë marrë pasaportën gjermane, numri më i lartë i regjistruar deri tani.

Sipas mediave gjermane, të paktën 309,852 persona janë natyralizuar si shtetas gjermanë gjatë vitit të kaluar, duke kaluar ndjeshëm shifrën e vitit 2024, kur shtetësinë e morën 291,955 persona. Rritja lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet në ligjin e shtetësisë që hynë në fuqi në mesin e vitit 2024 dhe që e kanë bërë shumë më të lehtë marrjen e pasaportës gjermane.

Një nga ndryshimet kryesore është lejimi i shtetësisë së dyfishtë, çka do të thotë se emigrantët nuk detyrohen më të heqin dorë nga shtetësia e origjinës për të marrë atë gjermane. Po ashtu, periudha minimale e qëndrimit në Gjermani është ulur nga tetë në pesë vite. Raporti është publikuar nga e përjavshmja gjermane Welt am Sonntag dhe bazohet në të dhënat e 14 nga 16 shtetet federale të Gjermanisë. Ende mungojnë statistikat nga Mecklenburg-Vorpommern dhe Saksoni-Anhalt.

Sipas raportimit, disa shtete të tjera si Saksonia e Poshtme, Saarland dhe Schleswig-Holstein nuk kanë dorëzuar ende të gjitha të dhënat përfundimtare, megjithatë shumica e qyteteve dhe qarqeve në këto rajone kanë raportuar tashmë shifrat e tyre. Media gjermane thekson se në disa raste bëhet fjalë për të dhëna paraprake, çka do të thotë se numri final i personave që kanë marrë shtetësinë gjermane gjatë vitit 2025 mund të jetë edhe më i lartë.