Ballina Opinion Tabela që mungon në çdo rrugë….

Tabela që mungon në çdo rrugë….

53
0

Nga Lutfi Dervishi 

Margaret Thatcher, e njohur si “Zonja e Hekurt”, në debatin e madh mbi rolin e shtetit pyeste: “Sa nga paratë tuaja duhet të shpenzojë qeveria dhe sa duhet t’ju lërë juve për familjen?” Ajo theksonte se “qeveria nuk ka para të vetat. Nëse kërkon të shpenzojë më shumë, ka vetëm dy mënyra: ose do t’ju taksojë më shumë, ose do të marrë borxh. Faturën nuk e paguan askush tjetër përveç jush. Nuk ka fonde publike; ka vetëm para të taksapaguesve”

Thënë popullorçe: qeveria nuk pret para me gërshërë.

Ka mbetur legjendare thënia i një ish-zëvendëskryeministri në Parlament: “Asnjë lek nuk do të paguajnë shqiptarët, të gjitha do t’i paguajë buxheti.”

Ndërkohë, Lavdrim Krashi, ish-deputeti i PS-së, nisur nga përvoja e tij e gjatë në Britaninë e Madhe, propozonte se në çdo rrugë të ndërtuar me buxhetin e shtetit duhet të vendosej një tabelë:

“Kjo vepër është ndërtuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë.”

Një tabelë e tillë do të ishte mjaft e dobishme, për aq kohë sa të ketë njerëz që besojnë se qeveria po shpenzon paratë e veta!

Çfarë shohim rregullisht nga fronti i kantiereve është propagandë, inspektime, përurime, postime të pafundme, madje edhe këngë kushtuar udheheqesit. Inagurim me këngë e valle?! Dhe nuk mungojnë as ata që i drejtohen liderit me adhurimin e një skllavi: “Vetëm ti mund ta bëje këtë rrugë!” a thua se investimi u bë nga xhepi tij.

Skena e djeshme në Pogradec gjatë “mbledhjes se qeverise/partisë” është ndoshta ilustrimi më i mirë i kësaj mendësie.

Çelnik Shtupalli, 78 vjeç, nga fshati Homçan i Mokrës, priti pesë apo gjashtë orë jashtë rezidencës qeveritare në Tushemisht vetëm për të takuar dhe falënderuar Kryeministrin. Halli i tij ishte asfaltimi i katër kilometrave rrugë të fshatit.

Çelniku e përqafoi të madhin mori dhe fjalën se do të shtrohen 4 km rrugë dhe u largua u lumtur.

Në pamje të parë, skenë prekëse. Po pse duhet një 78-vjeçar të presë pesë-gjashtë orë Kryeministrin për katër kilometra asfalt?

Rruga, nëse duhet bërë, nuk është dhuratë e Kryeministrit, as e kryetarit të bashkisë, as bëhet me kontribut vullnetar apo fonde bamirësie.  Edhe ato katër kilometra, kur dhe nëse do të shtrohen, do të paguhen nga taksapaguesit.

Ditën kur të kuptojmë se qeveria nuk prodhon para, por administron paratë tona, do të kemi edhe një marrëdhënie tjetër me pushtetin: më pak mirënjohje për atë që është detyrë dhe më shumë kërkesë llogarie.

Dhe atëherë pensionisti nuk do të presë orë të tëra për të falënderuar Kryeministrin/kryebashkiakun që i premton katër kilometra asfalt, por do e pyesë: pse nuk është bërë rruga?

Image