Ballina Kulturë Rikthim në të shkuarën përmes “AI”/ Studiuest deshifruan dorëshkrime të vjetra mbi...

Rikthim në të shkuarën përmes “AI”/ Studiuest deshifruan dorëshkrime të vjetra mbi 400-vjeçare

44
0

Komplote politike, letra dashurie dhe receta sekrete ilaçesh, të gjitha të fshehura për shekuj me radhë pas kodeve misterioze. Sot, inteligjenca artificiale po ndihmon studiuesit të zbulojnë sekrete historike që deri dje konsideroheshin të pazgjidhshme.

Në arkivat e Bibliotekës së Vatikanit, një dorëshkrim i quajtur “Shifra e Borgut” kishte mbetur i padeshifruar për më shumë se 400 vjet. Libri përmbante qindra faqe të shkruara me simbole të çuditshme dhe kode të panjohura. Studiuesit besojnë se aty fshiheshin receta sekrete mjekësore, të mbajtura të fshehta në Mesjetë për shkak të frikës nga akuzat për magji.

Me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe teknikave të të mësuarit automatik, ekspertët arritën më në fund të zbulojnë përmbajtjen e tij. Mes recetave të gjetura ishin kura të pazakonta, si përdorimi i verës së kuqe apo arrëmyshkut të fermentuar për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme.

Një tjetër zbulim i rëndësishëm lidhet me letrat sekrete të Mbretëreshës Mary të Skocisë. Dokumentet e deshifruara treguan përfshirjen e saj në komplote për rimarrjen e fronit dhe marrëdhëniet e tensionuara me djalin e saj.

Por procesi i deshifrimit nuk është i lehtë. Shumë dokumente janë dëmtuar nga koha, kanë shkrim të paqartë ose përdorin simbole të shpikura për të mashtruar lexuesin.

Megjithatë, ekspertët besojnë se kjo teknologji mund të ndihmojë edhe në deshifrimin e shkrimeve të lashta që ende mbeten mister, si disku 4 mijë-vjeçar i Faistos nga Kreta.

Për këtë arsye, studiuesit po zhvillojnë sisteme të reja të inteligjencës artificiale që jo vetëm transkriptojnë tekstet e vjetra, por edhe arrijnë të zbulojnë automatikisht kodet e përdorura.

Sipas studiuesve, rreth 1 për qind e dokumenteve në arkiva dhe biblioteka në mbarë botën janë ende të koduara. Ato fshehin informacione për diplomaci sekrete, komplote politike, rituale të shoqërive të fshehta dhe histori dashurie.