Sipas informacionit të siguruar nga “Pamfleti”, dy ortaket e kompanisë “Air Albania Sh.A.” – gruaja dhe vajza e Sinan Idrizit, janë larguar në Stamboll, ku po qëndrojnë të fshehura për shkak të detyrimeve të mëdha financiare ndaj kontraktorëve të avionëve.
Najada dhe Rejana Idrizi janë larguar nga Shqipëria pas mashtrimeve të përsëritura ndaj disa kompanive ajrore ndërkombëtare, të cilave nuk u janë shlyer pagesat prej 4 deri në 7 vitesh për avionët e marrë me qira në emër të “Air Albania”.
Të dyja janë ortake me 41% të kompanisë, së bashku me “Turkish Airlines” (51%) dhe “Albcontrol” (10%). Pas shtatë vitesh aktivitet, “Air Albania” është zhytur në borxhe miliona euro ndaj kompanive ajrore ndërkombëtare, ndërsa Sinan Idrizi, në bashkëpunim me drejtues të “Turkish Airlines”, ka vazhduar skemat mashtruese të marrjes së avionëve me qira pa shlyer detyrimet.
Një nga kompanitë e mashtruara është “Gat Aircraft and Engine Leasing Limited”, degë e “GA Telesis” në Florida, e cila ka paditur penalisht në Gjykatën e Lartë të Anglisë “Air Albania” dhe “Turkish Airlines”, për mashtrim me qiranë e dy avionëve “A320-200”.
Në fillim të gushtit 2025, edhe kompania “Etihad” bllokoi dy avionë të tjerë të “Air Albania”, duke kërkuar ndjekje penale për mashtrim dhe mospagim.
Sipas dosjeve të kompanive ajrore, skema mashtruese drejtohet nga vetë Sinan Idrizi. Ortake me 41% në “Air Albania” janë gruaja dhe vajza e tij, të paditura penalisht bashkë me të.
Për t’i shpëtuar përballjes penale, Idrizi i ka dërguar të dyja në Stamboll, aty ku familja ka ngritur bazën e aktiviteteve të dyshimta në bashkëpunim me grupe mafioze turke, qipriote, izraelite dhe arabe.
Në ortakërinë e “Air Albania”, gruaja dhe vajza e Idrizit përfaqësohen përmes kompanisë “MDN Investment Sh.p.k”, krijuar më 3 maj 2018.
Dy muaj më pas, më 17 korrik 2018, Idrizi i shiti 54% të aksioneve gruas dhe vajzës dhe 23% izraelitit Ron Yeffet – i njohur për monopolin në tregun e armëve dhe mjeteve ushtarake.
Pas një muaji, Idrizi dhe Yeffet ia transferuan aksionet e tyre Najadës dhe Rejanës, duke i bërë pronare 100% të kompanisë, tashmë të paditur ndërkombëtarisht për mashtrim financiar.
Kjo është arsyeja pse Sinan Idrizi ka fshehur gruan dhe vajzën në Stamboll, me shpresën se do t’u shpëtojnë përballjes penale dhe shlyerjes së miliona eurove borxhe./Pamfleti