Ballina Opinion Kush je ti? Bota do të ta thotë, nëse nuk e di...

Kush je ti? Bota do të ta thotë, nëse nuk e di vetë

40
0

The world will ask you who you are, and if you don’t know, the world will tell you.”
Një thënie që shpesh i atribuohet Karl Jung-ut (nuk jam i sigurt për këtë gjë), më nxiti të shkruaj këtë tekst sapo e lexova.

Pyetja që nuk pret gjatë

Në jetën time si psikiatër e psikotetapist, e kam dëgjuar në forma të ndryshme këtë pyetje: “Kush jam unë?” Ndonjëherë e thotë një grua që ka jetuar gjithë jetën për të qenë “e bija e dikujt” apo “gruaja e dikujt”. Ndonjëherë e thotë një burrë i lodhur që nuk ka qenë kurrë vetvetja, vetëm “i forti i lagjes”, roli që ia vuri në fillim familja e pastaj bota. Kjo pyetje nuk është kurrë e butë. Është therëse, nganjëherë si thikë. Dhe bota nuk pret përgjigjen tënde: nëse nuk flet, të vë një maskë në fytyrë.

Maska që ngjitet

Në terapi, maska fillon të shfaqet si diçka e padëmshme: një sjellje e përsëritur, një fjalë që nuk është e jotja apo një buzëqeshje që të mban pezull. Por shpejt kupton se maska nuk është më vetëm në fytyrë, është ngjitur në lëkurë. Dhe atëherë krijohet boshllëku. Në terapi e sipër kam parë sy që ndriçojnë për një moment, atëherë kur njeriu kupton se gjithë jetën ka jetuar me identitetin që bota i ka dhënë dhe bashkë me atë dritë, kam parë edhe dhimbjen që sjell ky zbulim.

Shqipëria dhe pasqyrat e shtrembëruara

Në vendin tonë kjo plagë është edhe më e mprehtë. Historia jonë ka qenë një histori e të qenit të emërtuar nga të tjerët: diktatura që të thoshte kush duhet të jesh, pushteti i sotëm që shpesh të fut në një kategori për të të kontrolluar, emigrimi që të jep një emër të ri, një identitet që nuk është plotësisht i yti. Është sikur të jetosh gjithmonë përballë një pasqyre të shtrembëruar. Dhe ndonjëherë, në vend që të pyesësh “Kush jam unë?”, pranon versionin që sheh aty.

Guximi i të qenit vetvetja

Por ky është edhe shansi ynë më i madh: të mos mbetemi të burgosur të pasqyrës së botës. Në dhomën time të terapisë, shpesh më vjen ndër mend se sa i vështirë është ky guxim: të heqësh maskën, të shohësh fytyrën tënde, të pranosh plagët, frikërat, historinë. Por vetëm aty fillon liria. Jo liria abstrakte e fjalimeve politike, por liria intime e njeriut që thotë: “Ky jam unë, me dritën dhe me hijen time.”

Një reflektim personal

Si çdo njeri, shpesh e kam ndjerë presionin e botës që do të më tregojë kush jam. Politika, opinioni publik, madje edhe pritshmëritë e njerëzve pranë meje. Është një betejë e përditshme për të mos e lejuar këtë zë të bëhet më i fortë se zëri im i brendshëm. Dhe këtë betejë, secili prej nesh mund dhe duhet t’a bëjë i vetëm.

Ndoshta nuk ka pyetje më të vjetër se ajo që na vë përballë botës dhe vetes: “Kush jam unë?”
Në fund të ditës, nuk është çështje filozofësh, as psikoanalistësh, as politikanësh. Është çështje e çdo njeriu që sheh pasqyrën dhe pyet veten nëse ajo që shfaqet aty është fytyra e tij apo maska që bota ia ka dhënë. Dhe ndoshta guximi më i madh nuk është të kesh një përgjigje të plotë, por të mos lejojmë që të tjerët të na japin një të rreme.