Ballina Politika Paradoksi/ Ministrja e re e shëndetësisë jep leksione për Inteligjencën Artificiale. Tek...

Paradoksi/ Ministrja e re e shëndetësisë jep leksione për Inteligjencën Artificiale. Tek onkologjiku nuk ka ilaçe për të sëmurët

44
0

Me pathosin e prezantimit të një risie, ministrja e re e Shëndetësisë ka shkuar deri në Londër për të prezantuar atë që mund të quhet revolucion i shëndetësisë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. E mbushur me veten dhe eksperiencën e saj, Evis Sala ka folur për digjitalizimin e plotë në shëndetësi, recetën elektronike dhe gjurmimin digjital të barnave (track and trace) si e vetmja rrugë për një shëndetësi bashkëkohore, në samitin dyditor “Inteligjenca artificiale në shëndetësi”, organizuar në Londër nga “The Economist”. Sipas saj, shëndetësia globale po hyn në një fazë të re, ku teknologjitë e avancuara do të lejojnë kalimin nga diagnostika tradicionale në një nivel të ri të ashtuquajtur “super-diagnostikë”.

Si një kopjace e dobët e shefit të ri, Evis Sala pa turp e shpërndan këtë njoftim për mediat, me mburrje për veten dhe pa marrë aspak në konsideratë realitetin e mjekësisë shqiptare. Si mundet të flasë për teknologji të avancuara ministrja e një shteti ku mungojnë barnat për të sëmurët me kancer? Ku në shërbimin e Onkologjikut ende nuk është fashitur skandali me barnat dhe ku edhe sot po të shkosh takon pacientë që vuajnë për mjekim? Sa patetike duhet të jesh që të mburresh në një event ndërkombëtar, të përkëdhelësh egon profesionale, kur ndërkohë si ministre s’ke vizituar ende asnjë repart të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”?

Ah po, ministrja në fakt ka një të drejtë të madhe ta bëjë gjithë këtë show. Sepse si ish–nëpunëse e pronarit të Spitalit Amerikan dhe Hygeia-s, ajo e njeh shumë mirë si funksionon shëndetësia, mjekimet dhe tarafet në Shqipëri. E ndoshta për këtë meriton duartrokitjen e radhës. Sepse të paktën kur të largohet nga posti i ministres do të ketë mësuar edhe më shumë se si t’u shërbejë spitaleve private dhe interesave të tyre. Sa për qytetarët, mjaftojnë pak ditë në detyrë për të kuptuar se sa merak ka për shqiptarët që nuk kanë mundësi të trokasin në dyert e spitaleve private./vna