Ballina Kronika Rrjeti i prostitucionit në Tiranë: Në krye të grupit një kolumbian, vajzat...

Rrjeti i prostitucionit në Tiranë: Në krye të grupit një kolumbian, vajzat silleshin nga Amerika Latine dhe Azia

41
0

Policia shqiptare në partneritet dhe bashkëpunim të ngushtë me ndërkombëtarët, arriti që të finalizojë pas tetë muajsh hetime zbuloi një skemë të organizuar që rekrutonte dhe trafikonte femra nga vendet e Amerikës Latine dhe Azisë Qendrore për t’i shfrytëzuar për prostitucion në Shqipëri.

Në zemër të këtij rrjeti qëndronte organizatori kolumbian, Lukas Betancur, 25 vjeç, i cili sipas hetimeve mbante rolin kyç të rekrutimit dhe koordinimit. Sipas Policisë mësohet se ai ua merrte kontaktet vajzave, organizonte udhëtimet dhe akomodimin e tyre drejt Shqipërisë dhe ushtronte presion e kërcënime, madje edhe ndaj familjarëve në Kolumbi, për t’i detyruar ato të kryenin prostitucion.

Në terren, rrjeti funksiononte me ndarje të qarta detyrash:

Lukas Betancur– kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine dhe në organizimin e udhëtimit dhe akomodimit të tyre në Shqipëri, ku më pas ato detyroheshin të ushtronin prostitucion. Në rast refuzimi, kolumbiani ushtronte presion dhe kërcënime ndaj vajzave dhe familjarëve të tyre në Kolumbi. Ky shtetas bashkëpunonte me shtetasin Dritan Suka, për sigurimin e kushteve për akomodimin e vajzave dhe menaxhimin e rrjetit të prostitucionit.

Ilmar Gugashi– menaxheri i akomodimit, ai kishte përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Collaku” në Tiranë, që  shëbente si strehës ku vajzat ushtronin aktivitetin e tyre të prostitucionit.

Assel Adrysheva, 43 vjeçe dhe Kejvin Ndreu, 25 vjeçe — të dy këta shtetas akuzohen se strehonin dhe shfrytëzonin për prostitucion disa shtetase nga Kazakistani, duke i vendosur ato në hotelin e përmendur dhe duke menaxhuar kontaktet me klientët.

Denis Berisha, 39 vjeç — Hetimet tregojnë se ai jo vetëm siguronte klientë për aktivitetin seksual, por u jepte disa prej vajzave lëndë narkotike.

K. P. (i arrestuar më parë) — Ky shtetas i cili ka rënë në prangat e Policisë më herët, mblidhte të ardhurat e fituara nga aktiviteti kriminal dhe i transferonte ato përmes transaksioneve me kriptovaluta në llogaritë e organizatorit në Kolumbi, një mekanizëm i sofistikuar për të fshehur përfitimet financiare të rrjetit.

Sipas Policisë, nga veprimet e kryera në Shqipëri u ekzekutuan masat e sigurisë ndaj 9 anëtarëve të këtij grupi krimina, për 7 prej tyre u vendos masa “Arrest në burg”, ndërsa për 2 të tjerë u vendos masa “Detyrim për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore”. Janë shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë të përfshirë në skemë. Për më tepër, 48 shtetase të huaja janë proceduar penalisht për ushtrim prostitucioni gjatë fazës së zbardhjes së rastit.

Gjatë operacionit u sekuestruan shuma parash, 7 celularë dhe prova të tjera materiale që do të shërbejnë në vijimin e hetimeve dhe procesin gjyqësor. Materialet procedurale janë referuar tashmë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në kuadër të një hetimi proaktiv të nisur në muajin shkurt 2025, në drejtimin e Prokurorisë, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Rrjeti”, me objektiv goditjen e një grupi kriminal që trafikonte femra nga vendet e Amerikës Latine dhe të Azisë Qendrore, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion, në Shqipëri, nëpërmjet platformave online.

Në kuadër të operacionit:

-u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: A. A., 43 vjeçe, R. M., 53 vjeç, D. B., 39 vjeç, M. Sh., 28 vjeç, D. S., 37 vjeç, I. G., 35 vjeç dhe K. N., 25 vjeç;

-u ekzekutua masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore”, për shtetasit Z. B., 25 vjeç dhe K. C., 29 vjeç;

-u shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, pjesëtarë të grupit kriminal.

Gjithashtu, u arrestua në Kolumbi, organizatori i veprimtarisë kriminale, shtetasi L. B., 25 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se:

-shtetasi L. B., kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine dhe në organizimin e udhëtimit dhe akomodimit të tyre në Shqipëri, ku më pas ato detyroheshin të ushtronin prostitucion. Në rast refuzimi, L. B. ushtronte presion dhe kërcënime ndaj vajzave dhe familjarëve të tyre në Kolumbi. Ky shtetas bashkëpunonte me shtetasin D. S., për sigurimin e kushteve për akomodimin e vajzave dhe menaxhimin e rrjetit të prostitucionit;

-shtetasi I. G. kishte përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Collaku”, në Tiranë, si vend për akomodomin e vajzave dhe shfrytëzimin e tyre për prostitucion;

-shtetasit A. A. dhe K. N. shfrytëzonin për prostitucion, disa shtetase nga Kazakistani, të cilat i strehonin në këtë hotel;

-shtetasi D. B. iu jepte lëndë narkotike disa vajzave dhe siguronte klientë për prostitucion;

-shtetasi K. P. (i arrestuar më parë), mblidhte të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal dhe i transferonte ato nëpërmjet kriptovalutave, në llogaritë e shtetasi L. B.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme.

Ky operacion është një shembull konkret i bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar dhe institucional. Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtar ka patur rol kyç në suksesin e operacionit.

Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar në goditjen e veprimtarive kriminale që cenojnë jetën dhe dinjitetin e qytetarëve dhe do të vijojë bashkëpunimin me partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë, për të goditur çdo veprimtari kriminale.