Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka folur për mungesën e Jude Bellingham në listën e fundit të Kombëtares angleze, duke theksuar se ekipi nuk duhet të varet nga një lojtar i vetëm.
Përveç Bellingham, Tuchel nuk ka ftuar as Phil Foden dhe Jack Grealish, dy futbollistë që kanë qenë në formë të mirë me klubet e tyre.
Trajneri gjerman, duke folur para mediave ndërsa skuadra e tij përgatitet për një miqësore ndaj Uellsit dhe një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës kundër Letonisë javën e ardhshme, e ka bërë të qartë se mungesa e Bellingham dhe e të tjerëve nuk është pasojë e ndonjë konflikti personal.
“Po, ne jemi më të fortë me Jude. Por çfarë bëjmë nëse lëndohet para Kupës së Botës? Ky është sport ekipor, nuk mund të varet gjithçka nga një lojtar i vetëm”, është shprehur ai.
“Jo, nuk ka asnjë problem personal me ta. Phil po ndikon sërish në lojën e Manchester City dhe po vendos ndeshje, ndërsa Jack është shumë afër rikthimit në formën e tij më të mirë”.