Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli denoncoi sot një tjetër skemë abuzive të qeverisë Rama me fondet publike, duke bërë me dije se vetëm në dy tendera të zhvilluar nga Drejtoria e Tensionit të Lartë në OSSH sh.a janë shpërdoruar 7.5 milionë euro përmes procedurave të dyshimta dhe mungesës së konkurrencës reale.
Vangjeli theksoi se të dy tenderat janë zhvilluar në të njëjtën ditë, me të njëjtët ofertues dhe me fitues të njëjtin bashkim operatorësh ‘Elb Ndërtuesi’, çka tregon për një proces të paracaktuar, në shkelje të parimeve të transparencës dhe trajtimit të barabartë.
Ajo i kërkoi institucioneve përgjegjëse të nisin menjëherë hetimet për këtë rast, që sipas saj, përbën një tjetër shembull të kapjes së prokurimeve publike nga korrupsioni qeveritar.
Pjesë nga deklarata:
Opozita dhe Partia Demokratike vijojnë të denoncojnë tenderat fiktivë dhe të dyshimtë, që administrata e Edi Ramës zhvillon përmes institucioneve publike, duke i kthyer ato në mekanizma abuzimi me fondet e qytetarëve shqiptarë.
Këtë herë bëhet fjalë për 7.5 milion euro të prokuruara me dy tendera të zhvilluar nga Drejtoria e Tensionit të Lartë në OSSH sh.a, konkretisht:
‘Ndërtim i linjës 35kV N.St Koplik 220kV-N.St Vukpalaj me dy qarqe’ me fond limit prej 3 milionë euro;
‘Ndërtim i linjës së re 35kV N.St Vukpalaj-Tamare dhe Nënstacion i ri 35/10 kV në Tamare’ me fond limit prej 4.5 milionë euro.
Të dy tenderat u zhvilluan në të njëjtën datë, (më 1 shtator), me pjesëmarrje të të njëjtëve ofertues, të cilët u vlerësuan në të njëjtën mënyrë, duke shpallur fitues të njëjtin bashkim operatorësh për të dyja procedurat.
Fituesi i këtyre tenderave paraqiti oferta me vlerë rreth 98% të fondit limit, duke treguar dyshime se nuk ka pasur konkurrencë reale, por procese të paracaktuar.
Kjo pjesëmarrje dhe vlerësimi tregojnë:
mungesën e nxitjes së pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë në prokurimet publike;
mungesën e konkurrencës ndërmjet operatorëve;
rënien e besimit të publikut tek institucionet shtetërore.
Pjesëmarrja e njëjtë, me të njëjtën renditje dhe të njëjtin fitues në procedura të ndryshme, ngre dyshime serioze se autoritetet kontraktore nuk kanë garantuar trajtim të barabartë, jodiskriminues dhe transparent, siç e kërkon ligji për prokurimet publike (LPP), neni 2 dhe neni 3.
Partia Demokratike i bën thirrje organeve përgjegjëse të hetojnë menjëherë këto praktika, që dëmtojnë konkurrencën, deformojnë tregun dhe nuk garantojnë mirëmenaxhimin e fondeve publike.