Ballina Kronika Punëtori humb krahun në fabrikën e kromit në Krastë, procedohet administratori

Punëtori humb krahun në fabrikën e kromit në Krastë, procedohet administratori

16
0

Një punëtor i fabrikës së pasurimit të kromit në Krastë të Dibrës humbi krahun pas një aksidenti të rëndë në punë. Policia njoftoi procedim penal për administratorin e kompanisë.

Një aksident i rëndë u shënua këtë të enjte në Fabrikën e Pasurimit të Kromit në zonën e re në Krastë, ku punëtori 27-vjeçar, identifikuar si Ismail Kola, humbi krahun gjatë punës. Ai ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Dibrës njoftoi se për këtë ngjarje kishte proceduar penalisht administratorin e subjektit. “Specialistët për Hetimin e Krimeve referuan materialet në Prokurori, në ngarkim të shtetasit B.L., 64 vjeç, banues në Burrel, me detyrë administrator i fabrikës së pasurimit të kromit në Bulqizë, pasi gjatë punës është aksidentuar shtetasi I.K., 27 vjeç.”

Sipas burimeve të BIRN, aksidenti ka ndodhur pasi punëtori i fabrikës ishte tërhequr nga pulexhat (rul transportues) e makinerisë së transportimit të mineralit, çka çoi në dëmtimin e rëndë dhe humbjen e krahut. Mësohet se 27-vjeçari ishte me detyrën e fadromistit. Fabrika ku ndodhi ngjarja kishte rifilluar punën vetëm pak ditë më parë, pas një ndërprerjeje pesëmujore të aktivitetit.

Ky nuk është rasti i parë kur kjo fabrikë bëhet objekt raportimi nga Policia e Shtetit. Në dhjetor 2021, Policia e Dibrës procedoi penalisht të njëjtin administrator, Bashkim Lala, pasi dyshohej se kishte ndotur mjedisin duke derdhur mbetje dhe ujëra të ndotura nga procesi i pasurimit të kromit në përroin e Batrës, në Martanesh.

Fabrika e pasurimit të kromit në zonën e re në Krastë ka nisur aktivitetin që në nëntor 2007 dhe operon si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, me pronësi të përbashkët shqiptare dhe të huaj. Objekti i aktivitetit të saj është përpunimi dhe pasurimi i mineralit të kromit, duke përfshirë proceset e ndarjes së mineralit nga materiali inert dhe përgatitjen e tij për treg. Ky subjekt është një nga pikat kryesore të përpunimit të kromit në zonën e Martaneshit, i cili prej dekadash mbetet një nga rajonet me rezerva të konsiderueshme minerare në Shqipëri.

Ngjarja e fundit vjen në një periudhë me bilanc të rëndë në sektorin minerar. Vetëm gjatë vitit 2025, 5 minatorë kanë humbur jetën në zonën e Bulqizës dhe Klosit. Rasti i fundit ishte një javë më parë kur një 38-vjeçar u aksidentua për vdekje në një nga galeritë e kromit në Bulqizë. Referuar të dhënave zyrtare, sektori i minierave dhe karrierave përbën rreth 18% të aksidenteve të raportuara në punë për vitin 2024, duke e renditur atë ndër më të rrezikshmit në vend. Shumë punëtorë, të aksidentuar në sektorin minerar, kanë mbetur me paaftësi të pjesshme ose të përhershme për të vijuar punën./BIRN