Kryeministri Edi Rama, ndonëse ka filluar punën për t’i dhënë fund karrierës politike të Erion Veliajt, edhe pa dëshirën e këtij të fundit, sërish i qan hallin kryebashkiakut. Në podcastin “Flasim”, ku të ftuar ishte kandidati që pritet t’i zërë vendin Veliajt, Rama nuk kurseu as “dhembshurinë” për kryebashkiakun, duke thënë se ai u mor pa gjyq, por që sipas tij, Tirana nuk mund të rrijë pa kryetar.
“Kryetari i bashkisë u mor nga zyra pa gjyq dhe u çua në paraburgim, ku vazhdon të mbahet prej 8 muajsh, përmes një procesi me standarde të dyshimta. Por, ndërkohë, Tirana nuk mund të mbetet pezull,” deklaroi Rama.
Në fakt, kjo është hipokrizia e radhës për të mos shfaqur në publik përplasjen e nëndheshme mes tij dhe Veliajt. Kryeministri përdor forcën e pushtetit për t’i hequr edhe karrigen e fundit kryebashkiakut, ndërsa ky i fundit kundërshton të gjitha vendimet në Kushtetuese.
Rama gjithashtu i doli në mbrojtje dekretit të presidentit, Bajram Begaj, për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë. Ai iu përgjigj kritikave ndaj Begaj duke thënë se asnjë nuk e kupton Kushtetutën sa Ilir Rusmali, i cili sot është këshilltar i presidentit.
“Ndërsa ata që diskutojnë legjitimitetin e dekretit të presidentit për zgjedhje, nuk kanë faj, sepse nuk kanë as shkollën, as pavarësinë intelektuale dhe as dijen mbi Kushtetutën të Ilir Rusmalit, këshilltarit juridik të presidentit dhe ministrit të Drejtësisë të PD,” tha Rama.
Madje, për hir të dekretit që i shkoi përshtat kërkesës së qeverisë, Rama vijoi lëvdatat për Rusmalin, duke thënë se “ish-ministri i PD dhe ish-zëvendëskryeministri i Berishës, për hir të integritetit të tij dha dorëheqjen dhe nuk pranoi të bëhej palë me korrupsionin,” u shpreh Rama.