Nga Klevis Bakillari
Aktori Binaj, shumë i dashur që prej rolit të imitimit të Ramës,ka disa vite që ka dalë nga roli por jo nga skena. Sot po bëhet simbol i një improvizimi të ri politik, prej Berishës e Lapajt,të mbështetur mbi retorikën e gjithëpërfshirjes civile.
Në këtë bashkim të papritur, kemi një paradoks: një figurë e sistemit që e ka ndërtuar vetë arkitekturën e tranzicionit shqiptar, dhe një zë antisistem, tashmë bashkë në një kauzë që kërkon të përfaqësojë “popullin e zhgënjyer” dhe “të djathtët”.
S’është thjesht një koalicion. Është një shenjë e krizës së përfaqësimit, ku kufijtë midis politikës tradicionale dhe aktivizmit qytetar janë shkrirë nën nevojën e emergjencës morale.
Lapaj, që dikur fliste për autonominë e shoqërisë civile, përfundon në një bashkërreshtim të heshtur me një simbol të politikës së vjetër, ndërsa Berisha, mjeshtër i manovrës dhe mbijetesës politike, sheh në këtë konvergjencë një oksigjen të ri për të legjitimuar veten përmes “energjinë së qytetarit të lirë dhe të zhgënjyer”.
Të dy, në mënyrat e tyre po improvizojnë një format të gjithëpërfshirjes civile, që duket më shumë si strategji për mbijetesë morale sesa si projekt për rilindje politike.
Në pamje të parë, kjo duket si një urë bashkimi opozitar- kombëtar. Në thelb,një eksperiment i rrezikshëm, një simbiozë mes të djeshmes dhe të pasionuarës për të nesërmen, ku asnjëra palë nuk di saktësisht se ku fillon dhe ku mbaron pala tjetër.
S’kemi vizion; kemi improvizim; s’kemi strategji qytetare;kemi një moment emocional që përpiqet të zëvendësojë mungesën e strukturës.
Ky është thelbi i gjithëpërfshirjes së improvizuar: mund të lindi si revoltë, por rrezikon të kthehet në riciklim.
Nëse Binaj është figura për të cilin po projektohen këto tensione, ai nuk përfaqëson më thjesht një kandidaturë. Ai është skena e përplasjes së dy frymave të Shqipërisë moderne;ajo e lodhur nga sistemi dhe ajo që ende beson se sistemi mund të ndryshohet nga brenda.
Historia politike na mëson se çdo improvizim që kërkon të përfshijë gjithkënd, pa përcaktuar qartë vlerat që e udhëheqin, përfundon duke mos përfaqësuar askënd.
Kështu, mbështetja e përbashkët për Binajn mund të lexohet si simptomë e një kohe ku idealet janë zëvendësuar nga aleancat momentale, dhe ku qytetaria, në mungesë të një përfaqësimi real, e sheh veten të detyruar të improvizojë politikën.
Në këtë kuptim, Berisha dhe Lapaj nuk janë dy figura në krahë të ndryshëm të historisë,por dy anë të së njëjtës dëshirë për të mbijetuar në një sistem që prej kohësh ka humbur busullën.
Dhe kështu, improvizimi i gjithëpërfshirjes civile, në vend që të jetë shpëtim, rrezikon të kthehet në një mister të ri të tranzicionit shqiptar. Një tjetër rreth i mbyllur, ku politika rikthehet me maskën e qytetarisë, dhe qytetaria shuhet nën peshën e kompromisit.