Ballina Aktualitet “Pervers dhe masakër, nëse votohet nuk do ketë më…”, ambientalisti i njohur...

“Pervers dhe masakër, nëse votohet nuk do ketë më…”, ambientalisti i njohur reagon ashpër ndaj pr.ligjit të ri për zonat e mbrojtura

55
0

Ambientalisti Lavdosh Feruni e konsideroi si “pervers” dhe “masakër” projekt-ligjin e ri për zonat e mbrojtura që pritet të miratohet në Kuvend. Feruni theksoi në një studio televizive se projekt-ligji i ri bën që të mos ketë më zona të mbrojtura me ligj. Ambientalisti shtoi ndër të tjera se ndërtimi i resorteve me 5 yje do të shpopullojë fshatrat.

“Ne kemi pasur një mundësi për ta kundërshtuar online, e kemi kundërshtuar online, të gjitha organizatat që kanë qenë aktive, të paktën 10 janë përplasur me deputetët në komision, dhe të gjitha janë shprehur në kundërshtim të plotë me këtë pr.ligj. Ky kundërshtim nuk mjafton. Nuk mendoj se do ketë një stopim të kësaj gjëje. Realisht është një ligj vërtet pervers, për arsye se shkojmë në një drejtim kundër një trendi botëror. Kudo në botë ka paqe kombëtare, zona non-go, ku nuk shkohet. Edhe Shqipëria ka zona ku nuk mund të shkohet, ose ku mund të shkohet duke marrë leje. Ligji është i mirë, është i 2017-ës. Kjo presupozon që kjo zonë s’është habitat për njeriun, që të bëjë çfarë të dojë, është habitat për faunën. Ne kemi një faunë të pasur dhe specie të rrezikuara. Ky pr.ligj është një masakër. Jam optimist që ka nerv akoma, edhe shoqëria civile, që të reagojë për këto çështje që janë skandaloze nga përmasat. Këto veprime janë kaq arrogante dhe të papranueshme, praktikisht ne mendojmë që s’do të kemi më zona të mbrojtura me ketë ligj.

Duke parë që në unison që të gjitha organizatat mjedisore janë kundër këtij ligji mendoj që do ketë një reagim në vazhdimësi. I bëj një thirrje mazhorancës që të mos ta votojë nesër, t’i japë kohë vetes që ta kuptojë, se nuk besoj se deputetët e kanë të qartë se çfarë po votojnë. Po të isha deputet do më vinte turp të votoja një ligj të tillë sepse do më duhej t’u jepja llogari fëmijëve dhe trashëgimtarëve. Ekziston mundësia, edhe unë vet jam i angazhuar, dhe besoj që do ketë një reagim në vazhdimësi për këtë çështje. Zonat e mbrojtura nuk kanë banorë, komunitete, kështu që duhet të politika të jetë më e përgjegjshme dhe të marrë përgjegjësi për këtë çështje. Ndërhyrja me ndërtime dhe beton është e papranueshme në çdo logjikë normale. Është e paparë në një vend tjetër, aq më tepër europian, s’e kuptojë si mund të kalojë ky ligj.

Nëse ti instalon në Shebenik një resort me 5 yje, fshatrat që janë afër kanë një situatë që duhet të largohen nga ajo zonë, sepse resorti me 5 yje i takon një klase njerëzish të tjerë, jo fshatarësisë. Ata që do vijnë do zgjerojnë aktivitetin e tyre, kështu që ajo ndikon në shpopullimin e këtyre fshatrave, krijohet një gap e disa njerëzve të pasur dhe një klase fshatare të varfër që me zor mbijeton. Agroturizmi funksionon në mënyrë perfekte, ndikon edhe në zonat e mbrojtura dhe për të ardhurat e komuniteteve. Nuk ka nevojë të jenë me 5 yje në këto zona, këta të pasurit kanë shkuar në Maldive, nuk kanë nevojë, ky është edhe gabim politik nga pikëpamja e të ardhurave. Zakonisht këto me 5 yje nuk krijojnë të ardhura për banorët lokalë, edhe ushqimet do t’i marrin nga importi. Kemi kaq shumë gjëra për të thënë për këtë ligj kontrovers që na shqetëson shumë.”, tha Feruni.