Ballina Aktualitet Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, reagon Gazment Bardhi: Vetëgjyqësia nuk ka vend...

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, reagon Gazment Bardhi: Vetëgjyqësia nuk ka vend në një shoqëri demokratike

42
0

Kryetari i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja.

Sipas tij ky akt shokues duhet të marrë dënim maksimal të parashikur nga ligji.

Bardhi shtoi më tej se kjo është ngjarja më e rëndë në 35-vite demokraci, dhe se një gjyqtar në detyrë nuk mund të cënohet për shkak të ushtrimit të detyrës.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI:

Tronditëse ngjarja e rëndë kriminale në Gjykatën e Apelit, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja. Ky akt i pashoq është prej atyre që të lënë pa fjalë.

Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, komunitetit të gjyqtarëve dhe profesionistëve të drejtësisë, apeloj që autori i këtij akti shokues të marrë dënimin maksimal të parashikuar nga ligji.

Sot është dita për të theksuar me zë të lartë që vetëgjyqësia ndaj vendimeve gjyqësore, që ka nisur nga sulmet e hapura të Kryeministrit ndaj gjyqtarëve/prokurorëve për vendimet që nuk i pëlqejnë, nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Nxitja për vetëgjyqësi është po aq e dënueshme sa edhe vrasja e një gjyqtari në krye të detyrës.

Ky është rasti i parë në historinë e 35 viteve ku një gjyqtar qëllohet në krye të detyrës vetëm se guxon të jap vendim sipas bindjes së tij dhe ligjit, për pasojë sot është dita për një reflektim të thellë nga e gjithë shoqëria shqiptare.

Kjo është ngjarja më e rëndë në 35 vite demokraci. Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari dhe Ministri i Brendshëm Albana Koçiu që janë titullarët e institucioneve që duhet të garantojnë sigurinë në gjykata duhet të japin urgjentisht dorëheqjen, si akt përgjegjshmërie për dështimin në garantimin e sigurisë së profesionistëve të drejtësisë në vendin e tyre të punës.

Një gjyqtar/prokuror në detyrë nuk mund të cënohet për shkak të ushtrimit të detyrës. Kjo do pamundësonte ushtrimin e lirë dhe pa frikë prej tyre të detyrës së shenjtë të dhënies së drejtësisë.

Të bëhemi të gjithë bashkë për të ndëshkuar maksimalisht këtë akt të rëndë që ky akt i paprecedentë të mos kthehet në normalitet.