Partia Agrare Ambientaliste e politikanit Agron Duka, rreshtohet zyrtarisht në një linjë me partinë më të madhe dhe drejtuese të koalicionit opozitar, Partinë Demokratike, duke mbështetur kandidaturën e aktorit Florjan Binaj për Tiranën.
“Zoti Binaj përfaqëson një profil qytetar dhe intelektual aktiv, i angazhuar në mbrojtjen e interesit publik, të mjedisit dhe cilësisë së jetesës”, thuhet në deklaratë.
Partia Agrare Ambientaliste e sheh pjesëmarrjen e tij si një alternativë ndryshe, që sjell frymë bashkëpunimi dhe përfaqësim dinjitoz të qytetarëve. Ky reagim vjen vetëm pak orë pasi lideri demokrat Sali Berisha njoftoi zyrtarisht se PD mbështeste emrin e Binaj.
“Ne besojmë se bashkimi i forcave opozitare rreth figurave me integritet dhe përgjegjësi është rruga e duhur për të rikthyer besimin e qytetarëve në politikë dhe administrim lokal”, përmbyllet deklarata e PAA-së së drejtuar nga Agron Duka.
Aktori Florjan Binaj ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka deklaruar se në zgjedhjet e 9 nëntorit do të kandidojë për t’u bërë qytetari i parë i Tiranës.
I angazhuar prej vitesh në çështjet publike, Binaj vjen si një alternativë e pavarur, larg strukturave partiake, duke e konsideruar këtë një hap të nevojshëm për t’i rikthyer qytetarëve një drejtim më përfaqësues të kryeqytetit.