Ballina Rajoni Paralajmërimi i BB: Shqipëria dhe rajoni në ngërç zhvillimi – mungesa e...

Paralajmërimi i BB: Shqipëria dhe rajoni në ngërç zhvillimi – mungesa e rritjes cilësore po largon ëndrrën evropiane

28
0

Raporti më i fundit i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, sjell një tablo të qartë të gjendjes ekonomike në rajon, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Edhe pse treguesit makroekonomikë mbeten të qëndrueshëm – me deficit buxhetor rreth 3%  – dinamika e rritjes ekonomike është ngadalësuar në vitin 2025.

Ky ngadalësim pasqyron ndikimin e inflacionit të vazhdueshëm, i cili ka zbehur fuqinë blerëse të konsumatorëve dhe ka frenuar konsumin privat, ndërkohë që pasiguria globale dhe rajonale ka kufizuar investimet e reja dhe tregtinë ndërkufitare.

Në këtë kontekst, Shqipëria ndodhet përballë një sfide të dyfishtë: të ruajë stabilitetin fiskal dhe monetar, por njëkohësisht të nxisë një rritje më gjithëpërfshirëse dhe me cilësi më të lartë të punësimit. Pa një rritje të produktivitetit dhe modernizim të sektorëve kryesorë – si bujqësia, turizmi dhe prodhimi – kjo mbështetje mund të jetë e përkohshme dhe e dështuar.

Punësimi cilësor, si kyç i transformimit ekonomik

Sipas raportit, rajoni duhet të fokusohet në krijimin e vendeve më cilësore të punës, jo thjesht në uljen e papunësisë. Kjo kërkon një ndryshim të thellë strukturor në mënyrën si funksionon tregu i punës dhe arsimi profesional.

Në Shqipëri, për shembull, shumë biznese raportojnë mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar, ndërkohë që një pjesë e madhe e të rinjve migrojnë për shkak të mungesës së mundësive për karrierë dhe pagave konkurruese. Praktikisht shpopullimi ka dhënë një efekt tejet negativë jo vetëm në situatën aktuale por edhe në perspektivën afatmesme dhe afatgjatë.

Për të adresuar këtë, Banka Botërore nënvizon tri prioritete:

1. Nxitja e pjesëmarrjes në tregun e punës, sidomos për gratë dhe të rinjtë, përmes politikave aktive të punësimit dhe përmirësimit të kushteve të punës.

2. Përmirësimi i aftësive të popullsisë, duke riformatuar arsimin profesional dhe sistemin e trajnimit në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe teknologjive të reja.

3. Përkrahja e bizneseve për të përvetësuar teknologjitë digjitale, si motor për rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë.

Raporti i Bankës Botërore është një thirrje për reflektim strategjik: rritja nominale nuk mjafton më. Shqipëria dhe rajoni duhet të kalojnë nga rritja sasiore në rritje cilësore, duke investuar në njerëz, teknologji dhe institucione. Vetëm përmes këtij transformimi strukturor, Ballkani Perëndimor mund të bëhet pjesë e plotë dhe konkurruese e ekonomisë evropiane.